
Jose Mourinho ka deklaruar se Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi nuk kanë nevojë të fitojnë një Botëror për t’u konsideruar lojtarë të mëdhenj.
Trajneri i Chelsea theksoi se dy yjet e aktualitetit në futboll e kanë arritur tashmë statusin e lojtarëve të mëdhenj, por shtoi se lojtarë të tjerë të mëdhenj para tyre kanë arritur lavdinë me kombëtaret përkatëse.
“Nuk mendoj se Messi duhet të fitojë me Argjentinën për të qenë i madh. Edhe Ronaldo është i madh. Janë lojtarë që nuk kanë nevojë për Botërorin, por Maradona, Zidane, Ronaldo apo Rivaldo e kanë fituar këtë kompeticion dhe tifozët presin që edhe këta të dy ta fitojnë”, tha portugezi.
Mourinho krahasoi edhe Botërorin me Ligën e Kampioneve: “Klubet janë më të mira se kombëtaret. Është logjike pasi një klub mund të blejë lojtarët më të mirë në qarkullim, të cilët stërviten bashkë dhe luajnë bashkë çdo javë. Mendoj se futbolli më cilësor shihet në Champions. Ndërsa Botërori ka më shumë emocion. Është fenomeni më i rëndësishëm botëror në aspektin kulturor dhe social. Bota e pret me padurim jo për cilësinë e lojës, por për aspektin emocional.”
Top Channel