Krimea, Obama nxit Putin për bisedime

07/03/2014 00:00

Shtëpia e Bardhë publikoi një transkriptim të një bisede prej rreth 1 ore mes presidentit amerikan, Barack Obama, dhe presidentit rus, Vladimir Putin. Më poshtë, një përmbledhje e asaj çfarë shkruhej në të…

“Presidenti Obama theksoi se veprimet e Rusisë janë në shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, gjë që na ka detyruar ne të ndërmarrim disa hapa në kundërpërgjigje, të bashkëkoordinuar me partnerët tanë europianë”.

Presidenti Obama theksoi se “ka ende një mënyrë për të zgjidhur situatën në rrugë diplomatike, e cila adreson interesat e Rusisë, popullit të Ukrainës dhe komunitetit ndërkombëtar”.

“Si pjesë e kësaj zgjidhjeje, qeveritë e Ukrainës dhe Rusisë duhet të zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta, të ndërmjetësuara nga komuniteti ndërkombëtar; monitoruesit ndërkombëtarë të sigurojnë se të drejtat e ukrainasve janë të mbrojtura, përfshi edhe rusëve etnikë; forcat ruse të rikthehen në bazat e tyre; ndërsa komuniteti ndërkombëtar të punojë së bashku për të mbështetur popullin ukrainas, teksa përgatiten për zgjedhjet e muajit Maj”.

Nga ana e tij, Putin raportohet t’i ketë thënë presidentit Obama se “marrëdhëniet SHBA-Rusi nuk duhen sakrifikuar për shkak të mosmarrëveshjeve mbi probleme, edhe pse shumë të rëndësishme, individuale ndërkombëtare”, bëhet e ditur nga Kremlini.

Kjo ishte telefonata e dytë mes dy liderëve të superfuqive botërore, për situatën në Ukrainë, në më pak se 1 javë.

SHBA-Rusi nisin stërvitjet ushtarake

Përpos përpjekjeve diplomatike për Ukrainën, nuk mungon edhe matja e forcës

Pasi Shtetet e Bashkuara dërguan 12 avionë ushtarakë “F-16” në Poloni, për të marrë pjesë në një stërvitje ushtarake, agjencia e lajmeve ruse “Ria Novosti” njoftoi se Rusia ka nisur një stërvitje ushtarake ajrore, 450 km në lindje të kufirit me Ukrainën.

Atje do të qëndrojnë për një muaj 3500 trupa dhe mbi 1000 njësi të pajisjeve të rënda ushtarake. Stërvitja do të kulmojë me përfshirjen e sistemeve të mbrojtjes, “S-300”, “Buk-M1”.

Kjo stërvitje përkon me përshkallëzimin e krizës politike në Ukrainë, e përqendruar veçanërisht në rajonin e Krimesë, ku shumica e popullsisë është ruse.

Agjencia e lajmeve “Reuters” raporton se kryeministri rus, Dmitriy Medvedev, tha se qeveria ruse po diskuton një ligj të ri për të “thjeshtuar” procedurat për rusisht-folësit, që kërkojnë të marrin shtetësinë ruse.

Kjo do të zbatohet për të gjithë ata, që kanë jetuar në Rusi, apo në një territor që dikur ishte pjesë e perandorisë ruse, apo Bashkimit Sovjetik.

Nga ana tjetër, mësohet se Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara miratoi një ndihmë financiare për Ukrainën, duke autorizuar mbi 1 miliard dollarë si garanci për hua.

Top Channel