Qeveria serbe ka kërkuar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për planet e fundit të Prishtinës zyrtare për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, si dhe për përkeqësimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë.

Në një konferencë për shtyp në Beograd, ministri serb për Kosovën, Aleksandar Vulin deklaroi se krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës nuk parashikohet në rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.

“Vendimi i Prishtinës për transformimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura është i papranueshëm dhe bie ndesh me rezolutën 1244, që thotë qartë se në territorin e Kosovës nuk mund të ketë ushtri”, deklaroi Vulin.

Ai theksoi se Kosova është një territor nën administrimin e Kombeve të Bashkuara dhe ku mund të qëndrojnë ekskluzivisht vetëm trupat e NATO-s dhe KFOR-it.

“Nëse rezoluta 1244 nuk është më e vlefshme, atëherë të na e thonë”, tha më tej Vulin, që shtoi se, as Forcat e Sigurisë të Kosovës dhe as Forcat e Armatosura të saj nuk do të mund të hynë në veriun me shumicë serbe.

Vulin shprehu edhe shqetësimin e tij për episodet, sipas tij, të dhunshme kundër serbëve, për arrestimin e serbëve në Kosovë nga EULEX, si dhe për ndalimin e hyrjes në Kosovë të politikanëve serbë.

Top Channel