Kryeministri i Rumanisë, Victor Ponta ka fituar një mocion besimi në Parlament, pasi kishte njoftuar formimin e qeverisë së re, që do të udhëheqë vendin me një mazhorancë të tkurrur.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat evropiane. Në të njëjtën kohë, vendi ka ratifikuar versionin e fundit për ndihmën prej 4 miliardë eurosh të dhënë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Vendimi, i marrë nga presidenti i vendit Traian Basescu, u jep fund spekulimeve që zgjasnin prej kohësh mbi paqëndrueshmërinë ekonomike dhe politike të Rumanisë.

Rumania u përfshi në një krizë qeveritare muajin e kaluar pasi Partia Liberale njoftoi largimin e ministrave të saj nga ekzekutivi dhe kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Ponta, në detyrë prej 14 muajsh.

Mosmarrëveshjet mes liberalëve dhe socialistëve kishin të bënin pikërisht me aprovimin e ndihmës së rishikuar të Fondit Monetar Ndërkombëtar, por kriza u përkeqësua edhe nga rivaliteti mes Pontës dhe kryeliberalit Crin Antonescu.

Aktualisht, të dy ata po shohin me interes zgjedhjet presidenciale të nëntorit të ardhshëm. Shtatë ministra të Partisë Liberale, e dyta për nga mazhoranca në qeveri, dhanë dorëheqjen nga fundi i muajit shkurt.

Ponta emëroi ministra të përkohshëm, por tani mund të mbështetet në një mazhorancë të destabilizuar në Parlament, me më pak se 50 për qind të vendeve.

Top Channel