Miqësoret, Spanja mposht Italinë

06/03/2014 00:00

Spanja nënshtroi Italinë me futbollin e saj kombinativ, por arriti të shënonte vetëm një gol në pjesën e dytë, atëherë kur hyri në lojë David Silva.

Pedro ishte autori i golit përcaktues të ndeshjes, ndërsa Diego Costa, lojtari i shumëpritur i këtij takimi, nuk doli kurrë në lojën e tij duke qenë thjesht një hije në fushë.

Italia rrezikoi vetëm në fillim të takimit, kur Alessio Cerci goditi shtyllën pas një aksioni të bukur individual.

Franca i jep leksione Hollandës

Pas 17 ndeshjesh radhazi pa humbje (11 fitore dhe 6 barazime), Hollanda u mund nga Franca 2-0. E udhëhequr nga Karim Benzema, djemtë e Deschamps krijuan raste të mira për shënim dhe i shfrytëzuan ato.

Sulmuesi i Realit realizoi një gol të mrekullueshëm me një goditje fluturimthi në minutën e 32, ndërsa 8 minuta më vonë Matuidi shënoi një tjetër gol fantastik duke dërguar në rrjetë krosimin e Valbuenës pas një akrobacie spektakolare.

Kili meritonte më shumë ndaj Gjermanisë

Gjermania fitoi ndaj Kilit 1-0 në një ndeshje ku amerikano-latinët meritonin më shumë. Goli i Gotzes në minutën e 16 nuk tregon me saktësi atë që u pa në fushë.

Kili luajti me intensitet dhe kombëtarja e drejtuar nga Joachim Low dukej e “mbytur” duke mos arritur për asnjë moment të tregonte nivelin e saj më të mirë.

E meta e vetme e Kilit ishte mungesa e qartësisë para portës kundërshtare.

Cristiano, dygolësh ndaj Kamerunit

Cristiano Ronaldo është shndërruar në golashënuesin më të mirë të Portugalisë me 49 gola pasi në miqësoren e së mërkurës ndaj Kamerunit shënoi një dygolësh.

Sulmuesi i Realit shënoi golin e parë dhe të pestë të kombëtares luzitane në ndeshjen e fituar 5-1 ndaj një kundërshtari të dobët.

Neymar, 3 gola ndaj Afrikës së Jugut

Në një stadium të boshatisur, Brazili mposhti 5-0 Afrikën e Jugut.

Ndeshja dukej më shumë si një seancë stërvitore për djemtë e Luiz Felipe Scolari, i cili po bën provat e fundit para se të shpallë listën me 23 lojtarë për Botërorin.

Ylli i takimit ishte Neymar me 3 golat e tij.

Top Channel