Krime, SHBA-BE kundër referendumit

06/03/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian e cilësuan të paligjshme, lëvizjen e Krimesë për të zhvilluar një referendum më 16 Mars, për t’iu bashkuar Rusisë.

“Referendumi i propozuar për të ardhmen e Krimesë do të shkelë Kushtetutën e Ukrainës dhe ligjin ndërkombëtar. Çdo diskutim për të ardhmen e Ukrainës duhet të përfshijë edhe qeverinë legjitime të Ukrainës. Në vitin 2014, ne jemi shumë larg ditëve kur kufijtë mund të ripërcaktojnë në kokat e udhëheqësve demokratik”, tha presidenti Obama.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se ekziston një mënyrë për ta zgjidhur përmes diplomacisë krizën me Rusinë, por “nëse shkeljet vazhdojnë, vendimi i SHBA-ve dhe aleatëve do të jetë i prerë”. Më herët, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj disa zyrtarëve ukrainas dhe rusë, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë firmosi më herët një urdhër ekzekutiv, që do t’i hapë rrugën sanksioneve kundër individëve dhe organizmave përgjegjëse për krizën në Ukrainë. Të njëpasnjëshme ishin deklaratat e presidentit amerikan, Barack Obama, dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry.

Nga Roma, ku ai merrte pjesë në një konferencë për Libinë dhe bisedoi me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se “Krimea është Ukrainë”.

Edhe udhëheqësit e Bashkimit Europian vendosën të ndalin bisedimet për lehtësimin e vizave dhe kërcënuan me sanksione të tjera, nëse Rusia nuk angazhohet në bisedime për zgjidhjen e krizës në Ukrainë.

Në konferencën për shtyp, në fund të samitit të Brukselit, presidenti i Këshillit të Europës, Herman Van Rompuy, dhe presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, kërkuan tërheqjen e Rusisë dhe u shprehën të gatshëm për të ndihmuar Ukrainën.

“Në mungesë të rezultateve, Bashkimi Europian do të vendosë për masat shtesë, siç janë ndalimi i udhëtimeve, ngrirje të aseteve dhe anulim të samitit BE-Rusi”, tha Van Rompuy. Në fund të samitit, përmes një deklarate, Bashkimi Europian paralajmëronte Rusinë se çdo hap për të përshkallëzuar situatën do të sjellë pasoja të rënda, në shumë fusha të ekonomisë.

Duke iu referuar sanksioneve ndaj Rusisë, Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh: “Shpresoj të mos mbërrijmë te kjo, por ne e bëmë shumë të qartë se do të vazhdojmë, nëse do të jetë e nevojshme”.

Kryeministri britanik, David Cameron, duke folur pas takimit me udhëheqësit në Bruksel, tha se “nuk do të bëhet biznes, si zakonisht me Rusinë”. Britania e Madhe reagoi edhe përmes Ministrit të Jashtëm William Hague. Ai tha se vendimi për referendum është “një hap në drejtimin e gabuar për zgjidhjen e krizës”.

Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, tha se ministrit të Jashtëm rus i është paraqitur një propozim për ngritjen e një grupi kontakti, që duhet të përfshijë Rusinë, Ukrainën, Shtetet e Bashkuara, Francën, vende të tjera dhe OSBE-në.

Analistët thonë se është e vështirë për BE-në, për të miratuar sanksione më të ashpra. Sipas tyre, disa shtete, veçanërisht ata në kufi me Rusinë, janë të mendimit që Europa duhet të ketë një qëndrim, por shumica kërkojnë të shmangin një konflikt të gjatë ekonomik me Rusinë.

Mediat ndërkombëtare raportuan se ushtria amerikane ka dërguar 12 avionë ushtarakë “F-16” në Poloni, për të marrë pjesë në një stërvitje ushtarake. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Poloni, Stephen Mull, tha se stërvitja ushtarake po bëhet për t’u dhënë garanci aleatëve, në kohën e krizës në Ukrainë.

Ndërkohë, Interpoli po shqyrton kërkesën e autoriteteve të Ukrainës, për arrestimin e ish-presidentit Viktor Yanukovych.

***

Më 16 mars pritet të zhvillohet referendumi në Krime. Dy pyetje do të shkruhen në fletëvotime: e para a e pranoni ribashkimin e Krimesë me Rusine si subjekt i Federatës Ruse? Dhe e dyta: A e pranoni ruajtjen e statusit të Krimesë si pjesë e Ukrainës?. Për autoritetet e Republikës Autonome vota ‘Po’ përkthehet në ribashkim me vendin mëmë.

“Do të thotë ribashkim me Federatën Ruse. Jam i bindur se shumica e banorëve të Krimesë do të lumturohen nga ky fakt e do ta duartrokasin dhe jam po kaq i bindur, se vendimit tonë, qytetarët do t’i japin në referendum mbështetjen e tyre”, tha Sergei Tsekov, kryetar i Parlamentit Rajonal të Krimesë.

Përmes një deklarate në faqen e internetit të parlamentit, sqarohet se presidentit rus Vladimir Putin i është kërkuar nga ligjvënësit të nisë proceduren e lejimit zyrtar të Krimesë për bashkimin me Federatën Ruse. Deri tani, nga Moska nuk ka asnjë përgjigje zyrtare, edhe pse Kremlini sqaroi se ‘presidenti Putin është në dijeni të zhvillimeve të fundit’.

Reagimet në Kiev ishin të menjëhershme. Ministri ukrainas i Ekonomisë, Pavlo Sheremeta deklaroi se afrimi i Krimesë me Rusinë do te ishte jokushtetues. Gadishulli me shumicë popullsie etnike ruse është kthyer në epiqendrën e tensioneve pas përmbysjes së presidentit pro-rus të Ukrainës, Viktor Janukovic, për të cilin Interpol njoftoi se sapo ka marrë kërkesën për arrestimin e tij.

Forcat vendase mbështetëse të Moskës dhe ushtarë të Rusisë patrullojnë rrugët e qyteteve të Krimesë.

Top Channel