Shndërrimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura mbetet peng i vendeve të rezevuara për deputetët e pakicave në Kuvendin e Kosovës.

Qeveria kosovare miratoi vendimin për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me shëndrrimin e FSK-së në Forca të Armatosura, që sipas kryeministrit Thaçi do të jenë forca kombëtare ushtarake. Thaçi propozi që ndryshimet të bëhen në 7 nene të ligjit të FSK-së, që detyrimisht çelin kapitujt e Kushtetutës për ndryshim.

“Gjithçka është e përcaktuar me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Forcat e Armatosura do të jenë në shërbim të qytetarëve, pa dallim etnik. Ato do të jenë profesionale sipas standardeve të NATO-s dhe multietnike. Propozoj të votohet për këto ndryshime dhe pastaj Kuvendi të thotë fjalën e fundit”, deklaroi Thaçi.

Por ministri nga komuniteti turk, Mahir Jagxhillar dhe ministri serb Nenad Rasiç thanë se në rast të hapjes së Kushtetutës për ndryshime, pakicat do të kërkojnë që të bëhen ndryshme për zgjatjen e ulëseve të rezervuara për to edhe për një mandat.

Rrjedhimisht, për të kaluar nga Kuvendi kjo çështje, nevojitetn 2/3 e votave të deputetëve, që nënkupton edhe votat e deputetëve nga minoritetet. “E përkrahim plotësisht krijimin e FAK, por është çështje kushtetuese ku do të hapen dhe çështje të tjera dhe ne kemi pasur kërkesa nga komunitetet”, deklaroi Jagxhilar.

“Unë bashkohem me propozimin e zotit Jagxhilar, pasi po përmendet plotësimi i Kushtetutës. Ju e dini që ne edhe më herët i kemi kërkuar këto plotësime dhe, po e përsëris, propozimet tona kanë qenë në favor të demokracisë. Nga to përfitojnë të gjitha komunitetet. Ky nuk është propozim as i serbëve, as i turqve, as i boshnjakëve, por është një propozim që rrit nivelin e demokracisë”, deklaroi nga ana tjetër Rasiç.

Ndërkohë, partia me e madhe opozitare, LDK ka kohë që është deklaruar kundër vazhdimit të mandateve për minoritetet e po kështu edhe lëvizja Vetëvendosje. Kabineti qeveritar përveç miratimit për propozimet për ndryshimet kushtetuese miratoi edhe projektligjin e ri për zgjedhjet, bashkë me ndryshimet e reja.

Top Channel