Universiteti Shtetëror i Tetovës i ka adresuar një kërkesë Qeverisë së Tiranës dhe asaj të Prishtinës përmes të cilës kërkon që këto dy shtete shqiptare ta shpallin festë shtetërore 22 Nëntorin, Ditën Alfabetit të gjuhës shqipe.

Kjo datë që ne Maqedoni është festë për shqiptarët duhet shënuar nga i gjithë kombi, thonë drejtuesit e USHT-së.

“Senati i USHT-së, në mbledhjen e mbajtur më datë 27 shkurt 2014, miratoi njëzëri propozimin që 22 nëntori, Dita e Alfabetit Shqip të shpallet festë shtetërore edhe në Republikën e Shqipërisë dhe Kosovës. Me këtë akt, ju dhe qeveritë respektive do të dëshmonit për një sensibilizim të gjithë mbarëshëm kombëtar dhe do ta nderonit veprën e çmuar kombëtare të të parëve tanë, që nuk kursyen asgjë për të mirën e gjeneratave të ardhshme”, deklaroi Vullnet Ahmeti, rektor i USHT-së.

Rektori i USHT-së ka folur edhe për problemin e dhjetra studentëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës dhe Kosova, të cilët javën e kaluar nuk u lejuan të hyjnë në territorin e Maqedonisë nga autoritetet kufitare. Ai i garantoi studentët se askush nuk mund të pengojë lëvizjen e tyre dhe i ftoi ta rregullojnë statusin për vendqëndrim në Maqedoni, për të mos u ballafaquar në të ardhmen me probleme të tilla.

“Javën e kaluar, të gjithë studentët nga Lugina e Preshevës, që studiojnë në qytetin e Kumanovës, u organizuan në amfiteatrin e universitetit tonë në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendëshme, për t’u sqaruar më hollësisht studentëve në lidhje me rregullimin e statusit të tyre studentor në Maqedoni. Vazhdimisht universiteti është në krah të studentëve. Këtë mënyrë i kemi organizuar edhe vitin e kaluar që studentët të jenë të organizuar të dijnë se si më mirë t’i rregullojnë dokumentacionet e tyre”, thotë Ahmeti.

Sipas drejtuesve të  Universitetit Shtetëror të Tetovës, studentët shqiptarë nga rajoni kanë të drejta të barabarta me të gjithë studentët në këtë institucion të lartë arsimor.

Top Channel