Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku hodhi poshtë zërat se NATO nuk e mbështet krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Gjatë një takimi jo formal me gazetarët, ai e shpjegoi heshjten e NATO-s rreth kësaj çështjeje si pranim të ndryshimeve që do të bëhen.

Çeku tha se i gjithë procesi i rishikimit të sektorit të sigurisë, përkatësisht transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur është bërë në konsultim dhe në mbikëqyrje të NATO-s.

Për zyrtarizimin përfundimtar të forcave të armatosura do të vendosë Kuvendi i Kosovës. Fillimisht, qeveria do t’i dërgojë Kuvendit propozimet për ndryshimet kushtetutese që duhet të bëhen.

Më pas deputetët do të vendosin duke bërë ndryshimet nga forca e sigurisë në forcë të armatosur. Themelimi i Ministrisë së Mbrojtjes bëhet pas ndryshimeve kushtetutese për këtë çështje.

Çeku tha se edhe kjo proçedurë duhet të bëhet para muajit qershor, kur dhe, sipas Çekut, pritet të mbahen zgjedhjet parlamentare. Ndërkohë, sa i përket periudhës dhjetëvjeçare brenda të cilës duhet të arrihen kapaictetet e plota operacionale, Çeku tha se është vendosur kështu për shkak të kostos së lartë buxhetore.

Ai siguroi se forcat e KFOR-it do të qëndrojnë në Kosovë deri në operacionalizimin e plotë të forcave të armatosura. Paralelisht me ngritjen e forcave të armatosura do të bëhet largimi i forcave të KFOR-it.

Numri prej 8 mijë ushtarësh, pesë mijë aktivë dhe 3 mijë rezervë është po kështu bazuar në standardet e NATO-s. Ministri Çeku tha se është standard i Aleancës Veri-Atlantike që në një milion banorë të ketë jo më shumë se 5.000 trupa.

Sa i përket shtrirjes së FSK-së në veri, kjo të paktën sipas ministrit Çeku është diçka që do të bëhet në koordinim me trupat e KFOR-it për aq kohë sa ky mision është në Kosovë, në mënyrë që të mos dëmtohet procesi i normalizimit të raporteve me Serbinë.

Kjo e fundit një ditë më parë u shpreh e irrituar nga njoftimet për krijimin e FAK-së, me argumentin se një gjë e tillë nuk parashikohet në marrëveshjen e 19 prillit, të arritur në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton. 

Top Channel