Rumania dhe Sllovenia janë dy vendet e Ballkanit që në periudhën dhjetor 2013-janar 2014 kanë regjistruar rritje të volumit tregtar, raporton Eurostat.

Sipas të dhënave të Institutit Europian të Statistikave, në periudhën e sipërpërmendur të dyja vendet kanë regjistruar një rritje prej 2.4 për qind.

Ndërsa në rang vjetor, duke krahasuar periudhën janar 2014-janar 2013, nga Ballkani rezultojnë me rritjen më të lartë tregtare sërish Rumania me rreth 6 për qind dhe Bullgaria me 5.5 për qind.

Vende të tjera të zonës së quajtur si Europa e Re, të cilat kanë regjistruar një rritje të volumit tregtar, janë Portugalia me 6.7 për qind, Estonia me 4.6 për qind dhe Gjermania me 2.5 për qind, për periudhën dhjetor 2013-janar 2014.

Ndërsa në krahasim vjetor, janar 2013-janar 2014, në krye të listës qëndron Estonia me një rritje prej 8 për qind, saktëson instituti evropian i statistikave.

Ndërsa në nivelin e Bashkimit Evropian, tregtia është rritur me 0.9 për qind për periudhën janar 2014-dhjetor 2013 dhe me rreth 2 për qind në raportin janar 2014-janar 2013.

Në Eurozonë, gjithmonë sipas të dhënave të Eurostat, rritja ka qenë 1.6 për qind mes muajit të fundit të vitit të kaluar dhe atij të parë të vitit aktual dhe 1.3 për qind në janar 2014, në krahasimin vjetor.

Top Channel