
Pa asnjë gol të shënuar përfundoi ndeshja e parë ndërkombëtare për Kosovën, miqësorja me përfaqësuesen e Haitit. Por për ndeshjen historike, festa para stadiumit olimpik “Adem Jashari”, në Mitrovicë, kishte filluar qysh në orët e paradites.
Pavarësisht motit me shi, tifozë nga shumica e ekipeve lokale, si asnjëherë më parë në Kosovë, u bashkuan për të motivuar lojtarët kosovarë. Tifozëve të organizuar iu bashkuan edhe qytetarë nga i gjithë vendi, duke çuar numrin në mbi 17 mijë.
Nën tingujt e himnit zyrtar të FIFA-s, lojtarët e të dy ekipeve u përshëndetën nga presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, dhe kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.
Ashtu siç dhe ishte marrëveshja me FIFA-n, nuk u lejua vendosja e flamurit të Kosovës në fanela dhe as intonimi i himnit të Kosovës në këtë ndeshje. Ndërkohë, tifozët mbanin shumë flamuj verdheblu, por nuk munguan as ata kuqezi.
Fishekzjarret me ngjyrat e flamurit të Kosovës paralajmëruan fillimin e ndeshjes. Gjatë lojës, skuadra e Kosovës pati disa mundësi për të shënuar. Për qytetarët, kjo ndeshje është historike, pavarësisht rezultatit.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, tha përmes telefonit se nuk ka pasur asnjë incident gjatë dhe pas përfundimit të lojës. Ndeshja Kosovë-Haiti është miqësorja e parë ndërkombëtare për Kosovën, nën ombrellën e FIFA-s.
Beogradi reagon për ndeshjen
Atmosferë pro dhe kundër në kryeqytetin e Serbisë
Ndeshja e kombëtares së Kosovës kundër Haitit ka zgjuar interesim në Serbi. Shumica e mediave raportojnë se rezultati ishte 0-0, një pjesë e të cilave ironizojnë me këtë fakt. Megjithatë, thonë se është djegur flamuri serb dhe, nga ana tjetër, serbët e veriut kanë nxjerrë fotografi me mbishkrimet Kosova është Serbi.
Por, jo për të gjithë kjo ndeshje kalon pa interes. Ka shumë prej tyre, që interesohen për anën sportive.
Milos Sharanoviç, gazetar dhe prezantues në televizionin B92, thotë se ka qenë interesante të shikohet cilësia, pasi shumë lojtarë nga Kosova luajnë në Perëndim, kurse – sipas tij, – Federata serbe është akuzuar si humbëse.
“Po krijohet një atmosferë se Federata e Futbollit e Serbisë është fajtore, që Kosova luan ndeshje. Në fakt, kjo nuk ka lidhje me Federatën e asnjërit vend, por për këtë pyeten lojtarët më të mëdhenj dhe është pjesë e një procesi më të madh, që po ndodh në Bruksel”, tha Milos Sharanoviç, Sporti TV B92.
Lidhje nga stadiumi “Adem Jashari” ka pasur edhe për mediat serbe. Ndërsa klubi i Crvena Zvezdës ka ftuar futbollistët serbë të Kosovës të luajnë në Beograd. Është përmendur se një pjesë prej tyre kanë refuzuar parà, për të luajtur për Kosovën. Por, a mund të mos ndiqet rezultati.
“Ne kemi raportuar si për çdo ndeshje miqësore, që është luajtur sot (dje). Në aspektin e futbollit është interesante edhe atmosfera, si duket ajo në stadium dhe aspekte të tjera. Dhe, kjo nuk është aspak interesante. Fundja është ndeshja e parë dhe luhet afër kufirit”, tha Milos Sharanoviç, Sporti TV B92.
Ndeshja e parë e Kosovës ka qenë edhe në listat e basteve dhe, për gazetarët serbë, në të ardhmen mund të ketë edhe lojtarë serbë me ngjyrat kosovare.
Kosovë-Haiti, pak interes në Tiranë
Ndryshe nga atmosfera në Kosovë, dhe vecanërisht në Mitrovicë ku skuadra e Kosovës zhvilloi ndeshjen e parë ndërkombëtare, në Tiranë interesimi i tifozëve shqiptar ka qenë shumë i pakët.
Lokalet në zonën e ish-Bllokut, të cilat në orët kur luan kombëtarja shqiptare e drejtuar nga De Biazi, janë të mbipopulluara me të rinj, këtë herë ishin pothuajse të boshatisura. Shumë pak persona kanë qenë të fokusuar në ekranet ku transmetohej ndeshja miqësore mes Kosovës dhe Haitit.
Me sa duket shkaqet kryesore të këtij interesimi të pakët të tifozëve të Shqipërisë është orari i papërshtatshëm dhe kundërshtari me të cilën Kosova kishte zgjedhur të nisë aventurën e saj në arenën ndërkombëtare.
Top Channel