Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka nënshkruar peticionin qytetar “Kjo qeveri meriton shkarkimin”.

Haradinaj ka deklaruar se qëllimi i tij është që t’i nxisë qytetarët e vendit të reflektojnë për të zgjedhurit e tyre. Ai ka treguar se nuk do të heqin dorë nga mocioni, ndaj kërkoi ndihmë nga qytetarët që ta nënshkruajnë atë dhe t’i bindin deputetët e Kuvendit që të veprojnë në përkrahje të mocionit.

“Kam dëgjuar qëndrime se peticioni nuk ka efekte juridike. Neni 43 i Kushtetutës së Kosovës garanton lirinë e tubimit, protestave, të demonstratave. Pra, peticioni është shprehje e vullnetit politik të qytetarëve, vullnet i lirë i garantuar me kushtetutë. Pra, është edhe një presion publik e politik, për reflektim në Parlamentin e vendit nga deputetët”, ka theksuar Haradinaj.

I pari i AAK-së ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës, lëvizja Vetëvendosje dhe deputetët e tjerë kanë mundësinë që me përkrahjen e mocionit t’i krijojnë vendit një perspektivë më të mirë dhe të kontribuojnë me zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Peticionin e kanë nënshkruar disa deputetë të AAK-së si Ahmet Isufi, Melihate Tërmkolli, Besnik Tahiri, aktivistë të rinj të AAK-së, si dhe qytetarë të thjeshtë.

Në një intervistë të dhënë për Top Channel pak ditë më parë, Ramush Haradinaj shprehu ambicjen e tij për afrimin e datës së zgjedhjeve parlamentare në muajin prill, e jo në qershor apo në një periudhë tjetër të mëvonshme.

Ish-kryeministri kosovar e quajti “bllokadë” vazhdimin e qeverisjes së kryeministrit Thaçi dhe kërkoi që ai të ofrojë dorëheqjen, sepse nuk ka më shumicën e votave në Kuvend. 

Top Channel