Grabitësit e dyqaneve të celularëve

05/03/2014 00:00

Pamjet e kamerave të sigurisë të një dyqani kanë kapur një të ri që hyn për të mbushur një kartë telefoni. Në fakt, ai nuk është një blerës, por po bashkëpunon për të kryer një vjedhje. Ndërsa ai përpiqet të bisedojë e t’i tërheqë vëmendjen shitëses, dikush hyn befas duke rrëmbyer një aparat telefoni.

Në të njëjtën mënyrë, bazuar në një hetim që përfshiu përgjatë dy muajve të gjitha komisariatet e Tiranës, u konkludua se të njëjtët persona, katër djem të rinj, ndiqnin këtë metodë për të vjedhur aparate telefonash të shtrenjtë në një sërë dyqanesh të kompanive celulare.

Operacioni i koduar “Celularët” u vendosi prangat shtetasve: Behar Brahaj, 32 vjeç dhe i dënuar më parë për vjedhje; Shkëlzen Ismailgeci, 26 vjeç e banues në Tropojë; Vilson Hrahaj 19 vjeç dhe banues në Kamëz; dhe Ervis Qemali, 32 vjeç, banues në Tiranë.

Policia thotë se ka dokumentuar implikimin e katër të rinjve në 25 vjedhje të njëjta, që të gjitha të filmuara e që nisin nga data 13 janar deri më 4 mars. Policia thotë në njoftimin për shtyp se ngjarjet janë të gjitha të dokumentuara, që nga vjedhja e celularëve tip iPhone dhe Samsung Galaxy në rrugën e Kavajës, e më pas në rrugën Asim Vokshi, Don Bosko, Mine Peza, rrugën e Durrësit, Isa Boletini, e të tjera.

Pas vjedhjes së telefonëve të shtrenjtë, ata i shisnin këto aparate në tregun e zi, thotë policia, e cila saktëson se gjatë kontrollit u gjetën 10 telefona të tillë në banesat e hajdutëve. Përveç kësaj metode të vjedhjes së aparateve, një tjetër mënyrë vjedhjeje të telefonave të shtrenjtë po i shqetëson blutë e kryeqytetit.

Në disa raste të denoncuara muajin e fundit, viktimat e vjedhjeve, veçanërisht vajza të reja, rezulton që të jenë pikasur nga hajdutët që në lokale si përdoruese të telefonëve të shtrenjtë. Ato ndiqen në distancë, thotë prokuroria dhe sapo gjendet mundësia në rrugë pa dëshmitarë, vajzat sulmohen dhe u rrëmbehen telefonat.

Top Channel