“Ju ftoj që të miratojmë analizën e rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë dhe 8 rekomandimet e dala nga ky proces, ku përfshihet që Forca e Sigurisë së Kosovës të shndërrohet në Forca të Armatosura të Kosovës dhe që Ministria për FSK-në të shndërrohet në Ministri të Mbrojtjes së Kosovës”.

Jo të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar ngritën dorën për të votuar pro vendimit të qeverisë, i cili shndërron Forcën e Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës. Është zëvendëskryeministri nga radhët e komunitetit serb, Slobodan Petrovic, i cili, ndonëse i pranishëm në mbledhje, qëndroi indiferent duke mos votuar fare, një çështje kjo, e cila – siç duket – nuk u vu re fare nga kreu i qeverisë, Hashim Thaçi.

Themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës vjen pas një pune dyvjeçare të institucioneve në rishikimin e sektorit të sigurisë në Kosovë. Kryeministri Thaçi njoftoi se Forcat e Armatosura do të kenë gjithsej 8000 pjesëtarë, pesë mijë prej tyre aktivë me uniforma dhe tre mijë nga formacioni rezervë.

“Sot ne po vendosim që FSK të shndërrohet në Forcat e Armatosura të Kosovës dhe rrjedhimisht të ndryshojë misionin, detyrat, strukturën dhe madhësinë, si dhe Ministria për FSK të shndërrohet në Ministrine e Mbrotjes së Kosovës. Kjo është diçka në të mirë të të gjithë rajonit, pa përjashtim. Kjo është është në interesin e proceseve të integrimeve euro-atlantike dhe dëshmon përkushtimin tonë se Kosova është e gatshme të transformohet dhe të prodhojë më tepër siguri, të jetë garantues i sigurisë së vet dhe, bazuar mbi hapat e mëtejshëm, të jemi një faktor relevant i sigurisë rajonale, por edhe globale”, tha kryeministri Thaçi.

Arritja e kapaciteteve të plota të Forcave të Armatosura të Kosovës, megjithatë, do të kërkojë kohë. Agim Çeku, i cili nga sot merr detyrën si ministër i Mbrojtjes, tha se ndërtimi i Forcave të Armatosura do të bëhet në tri faza.

Në vitin 2016 planifikohet të bëhen ndryshime kushtetuese, ndërsa në 2019-n pritet pajisja me armatim dhe krijimi i kapaciteteve operacionale. Faza e tretë, që do të jetë pas vitit 2020, përfshin arritjen e kapaciteteve të plota operacionale. Krahas ndryshimit të madhësisë dhe detyrës, do të ndryshojë edhe struktura e udhëheqjes.

“Detyrat që do të kenë Forcat e Armatosura janë: Mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, mbështetja e autoriteteve civile, mbështetja e komuniteteve, si dhe pjesëmarrja në operacione ndërkombëtare në mbështetje dhe ruajtje të paqes. Struktura e Forcave të Armatosura të Kosovës do të jenë: ministri i Mbrojtjes dhe, si pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes do të jetë edhe shefi i Mbrojtjes, i cili do të jetë njëkohësisht edhe komandant i FA të Kosovës. Ndërkohë që komandant suprem, kuptohet, është presidenti i Republikës së Kosovës. Më tej do të kemi Shtabin e Përgjithshëm të FAK dhe 4 lloj njësish në vartësi të tij: Së pari janë Forcat Tokësore, pastaj Garda Kombëtare, Komanda e Logjistikës dhe Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes”, tha ministri i Mbrojtjes, Agim Çeku.

Aktualisht Forca e Sigurisë së Kosovës ka një buxhet prej 42 milionë eurosh. Me themelimin e Forcave të Armatosura do të duhen 65 milionë euro.

Top Channel