Arrestohet i arratisuri i Trikalas

05/03/2014 00:00

Ky është Fatos Sulaj, 32 vjeç, njëri ndër 8 shqiptarët e arratisur nga burgu i Trikalas.

Që pas largimit spektakolar nga ky burg, policia greke, por edhe ajo shqiptare, u përfshinë në dhjetra operacione për kapjen e tyre.

Fatos Sulaj u arrestua në afërsi të zonës së Senatoriumit, nga forcat e Policisë së Tiranës, pas informacioneve se i riu nga Kukësi fshihej në një banesë të marrë me qira nga një shoku i tij.

Në njoftimin për shtyp, zëdhënësja e policisë së kryeqytetit deklaron se, Sulaj u arrit të kapej në një lokal. Në planin e saj për t’i hedhur prangat të riut, agjentët e krimeve të policisë së kryeqytetit raportohet të kenë mbajtur nën vëzhgim, prej disa muajsh, familjarë e të afërm të të kërkuarit, si një shpresë se ata do ta çonin policinë drejt 32-vjeçarit.

Më herët, për adresën e tij aq të kërkuar, policia pati informacione se kishte shumë mundësi, që ai të qëndronte në Kosovë, në një kohë që, në të vërtet, agjentët e grupit operacional kishin marrë të dhëna se ai fshihej në zonën e tij të lindjes, në Kukës.

Por, pas disa shërbimeve në këtë zonë, Fatos Sulaj arriti t’i shpëtonte gjurmimit të agjentëve civilë, arrati që mori fund mbrëmjen e kësaj të mërkure, kur 32-vjeçari u vizitua nga të afërm të tij në zonën e Senatoriumit.

Policia raporton se Sulaj nuk i bëri rezistencë policisë, madje ai – thonë pjesëtarë të forcave që morën pjesë në operacion, – ka ironizuar me policinë, duke i pyetur “si më kapët?”.

Pas arrestimit të tij për llogari të drejtësisë greke, pritet që ai të dalë para Gjykatës Penale të Tiranës, për masën e sigurisë. Policia e Tiranës thotë se nga kartela e dorëzuar rezulton se Fatos Sules i kanë mbetur edhe shtatë vjet, katër muaj e tre ditë, nga dënimi që 32-vjeçari duhet të vuajë në Greqi.

Në Janar të këtij viti u arrestua një tjetër i arratisur nga burgu i Trikalas, Ilir Kupa, i cili nga salla e Gjykatës Penale kërkoi drejtësi për shokët e tij në burgje dhe kërkoi të mos ekstradohej në Greqi.

Top Channel