
Vetëm 7 ndeshje gjatë këtij sezoni për Javier Zanettin pas një karriere si titullar i padiskutueshëm, por kapiteni nuk kërkon të krijojë polemika.
“Objektivi im i parë ishte të kthehesha në skuadër pas dëmtimit. Tani ndihem shumë mirë dhe kur trajneri ta shohë të arsyeshme, do më hedhë në fushë”, shpjegon argjentinasi 40-vjeçar.
Në lidhje me të ardhmen e tij, Zanetti deklaroi se do të presë fundin e sezonit për të vendosur: “Nuk është e ardhmja ime gjëja më e rëndësishme për momentin, por kualifikimi i Interit në Europë. Nuk e kam me nxitim, me presidentin kam dialog të vazhdueshëm dhe do të vendosim në qershor se kush është më e mira për të gjithë.”
Sido që të jetë vendimi, dashuria për ngjyrat zikaltër do të mbetet e paprekur: “Kam 20 vite në këtë klub dhe lidhja ime me të do të mbetet përgjithmonë. Unë nuk kërkoj asgjë nga presidenti Thohir, nuk kam asnjë pretendim. Jam i gatshëm të bëj gjithçka për të mirën e skuadrës.”
Top Channel