Miqësorja, Thaçi takon kombëtaren

04/03/2014 00:00

Kanë mbetur më pak se 24 orë nga ndeshja e parë miqësore ndërkombëtarë, e cilësuar si historike, Kosova-Haiti.

Përfaqësuesit e dy kombëtareve të futbollit mbajtën konferencën e parë të përbashkët, dhe të fundit para ndeshjes miqësore, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Adem Jashari”, në Mitrovicë.

“Shpresojmë që të bëjmë një lojë sa më të mirë. Jemi të lumtur, që jemi ne ekipi i parë, që po hapim një kapitull të historisë së futbollit kosovar”, tha Mark Collet, trajner i Haitit.

“Unë e kuptoj vullnetin dhe dëshirën e lojtarëve, të cilët vijnë nga Liga e Kosovës, për të qenë pjesë e përfaqësueses së Kosovës dhe mendoj se është përgjegjësi e imja, por dhe e të gjithë trajnerëve të Kosovës, që të rrisim kualitetin dhe punën në Ligën e Kosovës, në mënyrë që kjo ligë të jetë në nivel shumë më të lartë”, tha Albert Bunjaku, përzgjedhës i ekipit kosovar.

Ndërkohë, përfaqësuesit e FIFA-s uruan që, në një të ardhme të afërt, Kosova të anëtarësohet në OKB, çështje kjo e cila i hap rrugë anëtarësimit të Federatës së Futbollit Kosovar në FIFA.

Pritje për futbollistët ka zhvilluar edhe presidentja Atifete Jahjaga.

Kryeministri Thaçi, të martën pasdite, vizitoi përfaqësuesit e Kosovës në seancën e fundit para miqësores me Haitin. Ai falënderoi lojtarët, që janë grumbulluar për të mbrojtur ngjyrat e shtetit të Kosovës.

“Ju jeni krenaria jonë. Falemnderit që keni ardhur dhe i jeni bashkangjitur përfaqësueses së Kosovës. Të jeni të sigurt, se ky është vetëm fillimi i mbarë i suksesit. Kjo është vetëm një ndeshje miqësore, pastaj do të marrim pjesë edhe në garat zyrtare ndërkombëtare, në kampionatet botërore e evropiane, por dhe kupat e garat e tjera ndërkombëtare. Ne iu kemi vëzhguar kudo që luani dhe për këtë ndihem krenar. Shpresoj dhe besoj në fitore”, tha Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës.

Ai ka falënderuar edhe kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, për punën e madhe që ka bërë.

Policia e Kosovës, sipas planit operativ, ka angazhuar më shumë se 300 policë, të cilët priten të kenë në fokus të madh Mitrovicën, Pejën dhe Prishtinën.

Sipas përfaqësuesve të Federatës së Futbollit të Kosovës, përgatitjet janë duke shkuar sipas parashikimeve. Organizatorët ftuan të gjithë ata, që nuk kanë arritur të blejnë bileta, të mos i afrohen stadiumit. Kjo, bazuar në informacionet se biletat po shiten nga njerëz të ndryshëm.

Ndërkohë, nuk do të lejohen mjete të forta, pije në shishe të qelqta, kanaçe, elemente të mprehta dhe do të konfiskohen shtizat e drurit që tejkalojnë gjatësinë prej 30 centimetra.

Brenda stadiumit do të gjenden dhoma e policisë, dhoma e ndihmës së shpejtë, në rast nevoje, zjarrfikësit, dhoma e stafit, dhoma e zhveshjes dhe dhoma e konferencës, që do të mbahet pas përfundimit të lojës.

70 media vendase dhe ndërkombëtare do të përcjellin ndeshjen miqësore ndërmjet Kosovës dhe Haitit, me 30 kamera, 40 fotoreporterë dhe një numër të madh gazetarësh.

Top Channel