Në vazhdën e takimeve me liderët e subjekteve politike, me qëllim bashkërendimin e veprimeve për përgatitjen për zgjedhjet e përgjithshme, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa u takua të hënën me kryetarin e Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.

Sipas një komunikate të LDK, në takim u bisedua për ecurinë e veprimeve të mëtejme deri në zgjedhjet e përgjithshme. Të dy kryetarët u dakorduan që subjektet politike dhe institucionet duhet të punojnë me përkushtim që zgjedhjet të jenë të përgatitura mirë, të drejta dhe demokratike.

Po ashtu, kryetari i LDK-së dhe ai i Nismës për Kosovën u pajtuan që nga të gjitha subjektet politike të ndiqet një axhendë e përbashkët e veprimeve.

Më vonë, Mustafa priti në një takim lamtumire ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka. Në këtë takim Mustafa dhe ambasadori Lauka biseduan për proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova, për bashkëpunimin e ndërsjellë dhe proceset që presin Kosovën dhe rajonin.

Ata insistuan në intensifikimin e raportetve të shkëlqyera, në mënyrë që të realizohen interesat e përbashkëta. Nga ana e tij, ambasadori Lauka u shpreh i kënaqur me progresin që ka arritur shteti i Kosovës në këto vite. Ai çmoi rolin e LDK-së në të gjitha proceset dhe siguroi se shteti shqiptar do të jetë gjithnjë përkrah Kosovës.

Top Channel