Vendimi i bordit menaxhues të Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”, për largimin e dhjetra punonjësve nga puna dhe zvogëlimin e pagave të stafit ka shkaktuar reagimin e sindikatës së kësaj kompanie.

Sindikata këtë veprim të bordit menaxhues e konsideron tepër shqetësues, aq më tepër se për këto veprime, sindikata nuk është informuar fare, edhe pse informimi i saj në kohë parashikohet me Ligjin e Punës.

“Duke filluar nga pasditja e së premtes, datë 01.03.2014, shërbimi i burimeve njerëzore ka shpërndarë kontrata të reja të punës për punëtorët e aeroportit. Konçesionari i aeroportit “Limak&Aerport de Lyon”, sipas informatave që ka sindikata, të punësuarëve u ka vazhduar kontratat e punës vetëm për një vit, si dhe u ka zvogëluar të ardhurat personale me variacionin nga 50 deri në 300 euro. Por një numri të madh të të punësuarëve nuk u janë vazhduar kontratat e punës, edhe pse në mesin e tyre ka punëtorë me përvojë pune 30-vjeçare”, thuhet në një reagim të sindikatës.

Sindikata i rikujton kësaj kompanie dhe qeverisë së Kosovës, se gjatë viteve 2011/2014 në ANP janë punësuar rreth 300 punëtorë të rinj, pa shpallur konkurs publik, një pjesë e punëtorëve që kanë kryer punë ndërtimore në terminalin e ri janë transferuar si punëtorë në Aeroport, ku tani i zevendësojnë punëtorët e vjetër dhe disa para pensionit me përvojë pune nga 5 deri në 30 vjet.

Ndërkohë, në një komunikatë sqaruese nga aeroporti thuhet se, sipas marrëveshjes me qeverinë e Kosovës, konçesionari ka qenë i detyruar që të vazhdojë kontratën e 544 punëtorëve nga lista e trashëguar nga aeroporti si kompani publike.

Sidoqoftë, konçesionari ka vazhduar kontratat e punëtorëve të tjerë, të cilët nuk ishin pjesë e detyrimit të kontratës dhe ka rritur numrin në 672 punonjës, të cilëve iu ka vazhduar kontrata edhe për tri vite, deri me 3 Prill 2014.

Top Channel