
Janë mbyllur në barazim thuajse të gjitha ndeshjes e Superiores, këtë të diel, mes tyre edhe dy përballjet më të shumëpritura, Partizani-Skënderbeu 0-0 dhe Flamurtari-Tirana 1-1.
Bardheblutë e Maganit ndërpresin serinë e fitoreve në Vlorë, megjithatë marrin një pikë. Ndikumane zhbllokon takimin në pjesën e parë, e cila u dominua kryesisht nga Tirana, që pati disa raste por pa mundur t’i konkretizojë.
Ndërkohë, Flamurtari zgjohet disi në pjesën e dytë, ku tregon qartë edhe presionin që ndiente me ndërhyrjet dhe sjelljet agresive të lojtarëve.
Megjithatë, është Shehaj, i futur në vend të Zeqirit, që i shpëton vlonjatët nga humbja, me një gol shumë të bukur.
Gjithsesi, ky barazim nuk i jep mundësinë asnjërës prej skuadrave të rikuperojnë maksimalisht ndaj rivalëve të tyre të drejtpërdrejtë në klasifikim.
Ndërkohë, në “Qemal Stafa” është mbyllur me rrjeta të paprekura ndeshja tjetër më e rëndësishme e javës, ajo mes Partizanit dhe Skënderbeut. Në një terren shumë të vështirë, ishte e pamundur që të dhuronin më shumë se kaq.
Kukësi parakalon të kuqtë dhe rrëmben vendin e dytë. Skuadra e Starovës ka fituar ndaj Laçit me rezultatin minimal, por ka marrë tri pikë tepër të çmuara.
Pikë e çmuar mund të konsiderohet edhe ajo e marrë nga Vllaznia në Ballsh. Ka munguar goli në “Adush Muça”, edhe pse përpjekjet e të dyja skuadrave kanë qenë të mëdha.
Top Channel