Partia shqiptare në opozitë, Rilindja Demokratike Kombëtare, ka ftuar dy subjektet e tjera shqiptare, BDI dhe PDSH, të unifikojnë listat për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Sipas RDK-së, nëse partitë shqiptare dalin në zgjedhje me listë të përbashkët për deputetë, do të mund të sigurojnë deri në 40 vende në Parlamentin e Maqedonisë, ku aktualisht kanë vetëm 25 nga 123 gjithsej.

Drejtuesit e kësaj partie vlerësojnë se një bashkëpunim i këtillë do të ishte përgjigja më e mirë për kryeministrin Nikola Gruevski, i cili një ditë më parë kërkoi nga qytetarët maqedonas mbështetje masive, që partia e tij të fitojë 62 mandate deputetësh dhe të sigurojë shumicën në Kuvend.

Gruevski tha se, në këtë mënyrë, partitë shqiptare që do të bëhen në të ardhmen pjesën e qeverisë, nuk do të mund të kushtëzojnë me kërkesat e tyre funksionimin e ekzekutivit.

“Qëllimi kryesor është që, nëse VMRO-DPMNE nuk merr 62 deputetë pas zgjedhjeve parlamentare, BDI të kushtëzojë formimin e qeverisë, me kërkesën që njëri nga tre postet kryesore në vend; kryeministri, kryetari i parlamentit apo presidenti; t’i takojë atyre. Prandaj, këtë mënyrë të veprimit, ku me hapa destruktivë dëshirojnë të arrijnë një qëllim të caktuar, duhet ta ndërpresim menjëherë”, tha Nikola Gruevski, kryeministër i Maqedonisë.

Në Konventën partiake, ku u vendos që presidenti aktual Gjorge Ivanov të garojnë edhe për një mandat nën siglën e VMRO-DPMNE-së, kryeministri Nikola Gruevski tha se deputetët e partisë së tij do të votojnë pro iniciativës së BDI-së për shpërndarjen e Parlamentit.

Edhe partitë e tjera janë shprehur të gatshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Nismën për shpërndarjen e Kuvendit, grupi parlamentar i BDI-së e dorëzoi të shtunën. Debati parlamentar për këtë iniciativë pritet të nisë ditën e mërkurë dhe të zgjasë deri të premten, kur pritet të shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 27 Prill, bashkë me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Top Channel