F1, Alonso: Nuk jemi gati për Australinë

02/03/2014 00:00

Fernando Alonso ka bërë një bilanc për periudhën parasezonale të Formulës 1 duke analizuar me gazetarët e akredituar në Bahrein situatën në të cilën ndodhet Ferrari i tij.

Ja si e shikon spanjolli skuderinë italiane: “Jemi mirë përsa i përket besueshmërisë së makinës. Kemi punuar shumë gjatë dimrit dhe mendojmë se kemi një njëvendëshe solide ku mund të punojmë të qetë për zhvillimin e mëtejshëm të saj.”

Dy herë kampioni i botës në Formulën 1 dha edhe një mendim për Red Bullin: “Kanë pasur probleme, kanë xhiruar shumë pak, por ato xhiro kanë qenë gjithmonë të shpejta. Edhe këtë sezon do të jenë një rival shumë i fortë.”

Alonso theksoi se jo vetëm Ferrari, por asnjë skuderi nuk është gati për garën e Australisë: “Kemi bërë vetëm 5 ditë testime dhe nuk mund të përgatitesh me kaq pak. Është njësoj sikur skuadrat e futbollit të shkojnë në Botëror dhe të gjejnë një top tjetër, përmasa fushe të tjera dhe rregulla të tjera. Më pas, organizatorët t’i thonë që keni vetëm 5 ditë kohë për t’u mësuar me të rejat.”

Piloti i Ferrarit shpjegoi edhe si ka ndryshuar pilotimi me makinat e reja të këtij viti: “Janë më të ngadalta, kanë më pak fërkim me asfaltin dhe kanë më pak fuqi. Koha totale e një gare do të jetë shumë më e lartë se më parë. Neve na pëlqen të pilotojmë makina të shpejta, jo të ngadalta.”

Top Channel