
Në një Asamble Zgjedhore ku është ngritur vetëm kartoni jeshil, kishte duatrokitje masive dhe nuk ka patur asnjë kundërshtim, Armand Duka ka fituar mandatin e katërt radhazi si president i Federatës Shqiptare të Futbollit.
Kjo është hera e parë që në garën për president të intitucionit më të lartë të futbollit në vend futet vetëm një kandidat dhe ku i gjithë procesi ka qenë një formalitet.
“Ky rezultat më motivon akoma më shumë për të dhënë maksimumin për përmirësimin e organizimit të institucionit të futbollit”, tha Duka.
Gjatë mandatit të tij të katërt, presidenti Duka pohoi se qëllimi kryesor i tij janë lufta ndaj fenomeneve negative në sport dhe stadiumi i ri kombëtar: “Stadiumi kombëtar është projekti më i rëndësishëm i FSHF-së. Unë besoj se do i përmbahemi afateve kohore që kemi përcaktuar. Punimet do të nisin në fillim të vitit 2015 dhe do të përfundojnë në
vitin 2017.”
E pranishme në këtë asamble, ministrja Nikolli ka dhënë lajmin e mirë se shumë shpejt sporti dhe futbolli do të futet në programin mësimor parauniversitar: “Në bashkëpunim me FSHF-në po hartojmë një strategji të futjes së futbollit si lëndë në shkollat tona. Kjo masë do e bëjë këtë sport edhe më të dashur në vendin tonë.”
Ndërkohë, janë zgjedhur dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të kësaj federate. Janë rizgjedhur në këtë komitet, Lutfi Nuri, Muhedin Targaj, Artan Hajdari, Abdyl Kuriu, Bardhyl Minxhozi dhe Arben Dervishi, ndërkohë që Asambleja ka vendosur që Vasil Bici, Fatbardh Jera dhe Edvin Libohova të jenë hyrjet e reja në Komitetin Ekzekutiv.
Top Channel