FATOS BAXHAKU – Gjithnjë jam çuditur me mënyrën se si vetëquheshin ato
mjetet e vogla që na dërgonin ku të donim, ku të mundeshim e ku të
mundnin. Në bazë të logjikës, apo të literaturës ato duhej të quheshin
“furgonë”, por në bazë të kushedi se cilës prej gjuhëve të këtij
mijëvjeçari – të gjithë e dimë se gjuha është po aq e gjallë sa edhe
vetë njerëzit – ata nisën të vetëquheshin “fugona”.
Gërma “r” kushedi se ku kish vajtur, por kjo nuk kishte edhe aq rëndësi si për shoferët, ashtu edhe për ne, pasagjerët.
Me sa duket kjo ka lidhje me një fjalë të vjetër të dialektit të Shqipërisë së Mesme, andej nga nisen e mbërrijnë shumica e furgonëve. Në fëmijërinë tonë “me fugu” donte të thoshte të vrapoje shpejt, të mbaroje një punë sa hap e mbyll sytë, të ishe i shkathët e punëmbaruar. Kush e di se si, për kombininime, që vetëm ndër këto kohë mund të ndodhin, e pa na pyetur aspak, furgonët u barazuan me idenë tonë të vjetër “të të fuguarit”, të të kryerit punë.
Sido që të jetë puna, jashtë këtyre kujtimeve etimologjike, që kanë vetëm vlerë kujtimesh, tani Shqipërisë, qeverisë, njerëzisë, opozitës, neve vetë na ka dalë një hall i madh. Ky hall quhet furgonët, me apo pa “r”, nuk ka tashmë edhe aq rëndësi.
Sikurse e dimë të tërë prej disa kohësh shteti dhe thuhet mijëra shoferë furgonësh janë përfshirë në një debat të ashpër, i cili ka çuar në bllokime rrugësh, në sherre të ashpra, në përzierjen e politikës edhe pa dashjen e shoferëve, e kështu me radhë. Befas, të gjithë, ministra, zyrtarë, ekspertë, deputetë, sindikalistë, shoferë, faturino e ndien veten të përfshirë në një vorbull, që nuk e kishin ndier më parë. Nëse i dëgjon me gjakftohtësi të gjitha palët, në fillim, të duket sikur të gjithë kanë të drejtë.
Le ta nisim nga shoferët e furgonëve. Ata thonë pak a shumë: Me ne nuk keni punë. Keni punë me ata që keni lejuar të punojnë pa u licencuar, pra në thelb është punë e shtetit. Ne kemi paguar që prej afër dy dekadash taksat dhe tatimet një më një. Këtu e kemi bazuar jetën tonë të përditshme duke bërë edhe një punë të dobishme për dynjanë. Po na hoqët këtë punë na keni hequr bukën e gojës. Nëse dëgjojmë vetëm ata, sigurisht që kanë të drejtë.
Nga ana tjetër dy ministrat, Tahiri, por më shumë Haxhinasto, këmbëngulin se furgonët në Shqipëri nuk kanë të ardhme. Kjo është bazuar në dy elemente shumë të rëndësishme: e para në bërjen e Shqipërisë europiane, pra në imazhin e saj, dhe e dyta në rritjen e sigurisë së pasagjerëve. Për të qenë më të shkoqur, le të zëmë Tiranën. Është i vetmi kryeqytet ballkanik që nuk ka një terminal për të qenë autobusësh. Nuk e ka dhe pikë. Ata që thonë se ka disa stacione ia fusin kot e për qejf të tyre. Tirana ka disa ish-parqe të trishta industriale, dhe në asnjë kuptim një stacion të vërtetë, një terminal sikurse i thonë sot kudo. Pastaj edhe siguria e udhëtimit me furgon nuk është se është më e mira. Shembujt e shumtë të aksidenteve, duke përfshirë edhe atë të fundit në Krumë, që me sa duket e hapi gjithë këtë debat, nuk janë një gjë e panjohur për ne. Po atëherë? Na paskan edhe ministrat të drejtë? Mos vallë kemi të bëjmë me një debat ku të dyja palët kanë të drejtë? Sikur të dëgjosh vetëm të dyja palët sigurisht që po. Por duhet të ketë edhe një palë të tretë.
Në gjithë këtë histori është harruar një palë e tretë: pasagjerët, ne vetë. Pra njerëzit që jo vetëm paguajnë për këtë shërbim, por e kanë edhe të drejtë të tyre që ta kenë. Në debatin e ashpër – dhe deklarata e djeshme e ministrit Haxhinasto nuk bëri tjetër veçse e ashpërsoi këtë gjendje – është harruar një gjë bazë. Liria e lëvizjes është po aq e rëndësishme si brenda dhe jashtë vendit. Liria e lëvizjes në disa kuptime është demokracia vetë. Shteti e ka për detyrë që t’u përgjigjet qytetarëve të tij për shërbime për të cilat ata paguajnë taksat dhe biletat. Sikur shteti të kishte tashmë një flotë të organizuar me autobusë që lidhnin qytetet, kryeqytetin, fshatrat, vendet e punës, atëherë do të kishim edhe vende pune për furgonistët e inatosur. Por ne këto nuk i kemi ende, me gjithë dëshirën e madhe të ministrave dhe të qeverisë. Po atëherë si do të lëvizim? Sa do t’i shkojë bileta një pasagjeri, mirë se për shoferët nuk e vrasim edhe aq mendjen? Shteti duhet t’i përgjigjet edhe një pyetjeje të madhe nëse gjen kohë: çfarë po bëhet me hekurudhat dhe me mjetet alternative të udhëtimit?
Gojë të liga kanë thënë se e gjithë kjo punë bëhet për t’u dhënë udhë disa linjave autobusësh të lidhura me pushtetin. Në Gjirokastër do thoshin: More po makar të qe kështu more! Mirëpo as këta autobusë nuk po i shohim gjëkundi! Reforma në transportin publik me sa duket është një gjë fort e thellë. Ajo nuk mund të niset as nga një aksident i radhës, dhe as nga persona të përveçëm, qofshin këta edhe ministra të nderuar. Ajo duhet të niset si një detyrë e shtetit shërbëtor ndaj njerëzve që e mbajnë në këmbë, pra ndaj pasagjerëve. Nëse kjo nuk kuptohet, harrohet, devijohet, atëherë do t’i shtojmë vetes një problem më shumë ku të gjitha palët kanë të drejtë, por askush nuk del garant për zgjidhjen.
Një nga ëndrrat që kemi pasur në fillimet e demokracisë ishte pikërisht lëvizja e lirë. Jashtë vendit, po se po, por edhe brenda tij. Të shkojmë sa më parë, sa më lirë, sa më thjesht, atje ku na çojnë punët, kuriozitetet, miqësitë, lidhjet familjare, shkollat, pse jo ëndrrat dhe dashuritë, e gjitha kjo është detyrë e shtetit. Me gjërat e fundit, që po ndodhin nuk dëmtohen vetëm shoferët, këta po se po. Në radhë të parë, pa një strategji afatgjatë, pa një synim të qartë të lidhjes së shqiptarëve mes njëri-tjetrit, të gjitha diskutimet e tjera, dëmtojnë në radhë të parë njerëzinë shqiptare, udhëtarët, ne vetë, ministrat vetë, njerëzit e ministrave vetë. Dhe kjo dreqi e di se kujt i shërben. Kujtdo që të jetë vetëm lëvizjes sonë si pjesë e demokracisë jo.
Top Channel