2013-a ishte viti më i vështirë për biznesin dhe ekonominë shqiptare në
dy dekadat e fundit, por nuk ka rezultuar i tillë për sistemin bankar.

Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se fitimet e bankave vitin e kaluar gati u dyfishuan karahasaur me 2012-ën duke arritur në 65 milionë dollarë. Ky është niveli më i lartë që nga viti 2010, kur fitimi total i sistemit bankar ishte rreth 67 milionë dollarë.

Të dhënat tregojnë se rritja e fitimeve vitin e kaluar ka ardhur kryesisht nga përmirësimi i të ardhurave nga veprimtaritë e tjera, të cilat arritën në mbi 54 milionë dollarë. Paralelisht një tjetër arsye është edhe stabilizimi i shpenzimeve që bankat kryejnë për provigjonet, që janë fondet e garancive përmes të cilave ato mbulojnë kreditë e këqija.

Vitin e kaluar kreditë me probleme shënuan rritjen më të ulët që nga fillimi i krizës duke bërë kështu që bankat të bllokojnë më pak fonde për ti kompesuar ato. Të dhënat historike, tregojnë se bankat shqiptare ja kanë dalë të ruajnë fitime pozitive përgjatë gjithë viteve të krizës.

Viti më i vështirë për bilancet e tyre ishte 2011, kur fitimet totale të sistemit bankar ranë në vetëm 706 milionë lekë. Ndërsa në vitet më vonë treguesit e tyre financiar janë përmirësuar vazhdimisht, pavarësisht rëndimit të situtës ekonomike në tërësi dhe tkurrjes së kredive të reja.

Top Channel