Shteti austriak përkrah fuqishëm integrimin e Kosovës në Bashkimin Europian, por Kosova duhet të jetë më e ashpër në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si mjete garantuese për zhvillimin e saj ekonomik dhe integrimin europian, deklaroi ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz, gjatë takimeve në Prishtinë.

Ministri më i ri në moshë i Bashkimit Europian tha se integrimi i Kosovës dhe Serbisë në BE duhet të bëhet në të njëjtën periudhë kohore. Në Prishtinë, ai erdhi edhe për të nënshkruar disa grante për fushën e arsimit.

Ndërkohë, ai theksoi se papunësia në Kosovë, dhe e të rinjve kryesisht, mund të zvogëlohet vetëm atëherë kur lufta ndaj korrupsionit të jetë shumë më e fortë. Kurz theksoi se, probleme me numrin e të papunëve ka edhe BE-ja, pasi kriza ekonomike ka ndikur mjaft në këtë çështje.

“Natyrisht që ne mbështesim integimin e Kosovës në BE dhe do të ndihmojmë, që Kosova të nënshkruajë sa më shpejt MSA-në, nëse është e mundur edhe brenda presidencës së Greqisë. Por, në anën tjetër, sa më shumë që të luftohet korrupsioni, aq më e lehtë do të jetë për ju, që këtu të vijnë investitorë austriakë, pasi mbështetja e rritjes ekonomike është rruga e vetme për uljen e papunësisë”, tha Sebastian Kurz, ministër i Jashtëm i Austrisë.

Ai paralajmëroi se në të ardhmen, shteti austriak do të mbështesë Kosovën edhe me 1,9 milionë euro në fushën e reformave të sundimit të ligjit. Ndërkohë, ministri kosovar Enver Hoxhaj përmendi kushtet, që duhet të plotësojë Serbia për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Kosovën, pas dialogut që po zhvillohet mes dy vendeve.

“Serbia duhet të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel. Serbia duhet të shpërbëjë të gjitha strukturat ilegale të sigurisë në veri. Duhet të ketë integrim të plotë të veriut në institucionet kosovare. Serbia duhet të njohë subjektivitetin e Kosovës dhe, së fundi, duhet të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kosovën, duke ardhur dhe te njohja reciproke”, tha Enver Hoxhaj, ministër i Jashtëm i Kosovës.

Ndër të tjera, Kurz paralajmëroi rritjen e numrit të ushtarëve në kuadër të KFOR-it. Pas vizitës së tij në Beograd, shefi i diplomacisë austriake ka zhvilluar edhe një takim me kryeministrin Hashim Thaçi, në Prishtinë.

Top Channel