
Ambasadori i Ukrainës në NATO deklaron se ka shpresa për qetësimin e situatës në Krime, e bëri thirrje t’i jepet fund menjëherë dhunës dhe përdorimit të forcës.
“Për momentin, Parlamenti në Krime po vazhdon punën. Një sërë çështjesh janë diskutuar, përfshirë mundësinë e një referendumi mbi zgjerimin e të drejtave të autonomisë. Ndaj, mënyrat për gjetjen e gjuhës së përbashkët dhe mirëkuptimit ekzistojnë. Gjëja më e rëndësishme për momentin është të shmangen përplasjet, dhuna dhe përdorimi i forcës, sepse situata edhe mund të qetësohet”, tha Ihor Dolhov, Ambasador i Ukrainës në NATO.
Tensionet në gadishullin pro-rus kulmuan me marrjen e Parlamentit lokal nga persona të armatosur, të cilët ngritën mbi ndërtesë flamurin e Rusisë. Moska, nga ana tjetër, dërgoi avionët e saj luftarak të patrullonin kufirin me Ukrainën, si pjesë e manovrave të njoftuara një ditë më parë.
Kremlini e bëri të qartë se dëshiron të bashkëpunojë me Perëndimin për shmangien e krizës, por paralajmëroi fuqitë e huaja të mos marrin vendime, që i takojnë vetëm ukrainasve.
Situata duket e acaruar, deri në atë pikë sa presidenti i përkohshëm, Oleksandr Turchynov, paralajmëroi që, çdo lëvizje e trupave ruse do të konsiderohet si agresion ushtarak.
Flota ruse në Detin e Zi, bazën kryesore të saj e ka në Sevastopol të Krimesë.
“Do të doja t’i drejtohesha udhëheqjes së Federatës Ruse, lidhur me detyrimet e marrëveshjes bazë rreth pranisë ushatarake ruse në Republikën Autonome të Krimesë, në Sevastopol, dhe në lidhje me papranueshmërinë e shkeljes së ligjeve ukrainase, nga personeli ushtarak i Flotës Ruse në Detin e Zi”, tha Oleksander Turchynov, president i përkohshëm i Ukrainës.
Ndërkohë, presidenti i përmbysur Viktor Yanukovych duket se është në territorin rus dhe, sipas agjencisë së lajmeve “Ria Novosti”, planifikon të mbajë një konferencë për shtyp në qytetin Rostov-on-Don.
Në deklaratën e parë të lëshuar, prej arratisjes ditën e shtunë, ish-kreu i shtetit ukrainas thotë se është detyruar t’i kërkojë Federatës Ruse ndihmë për sigurinë e tij personale, pas veprimeve të ekstremistëve, siç i quajti ai, ndërsa shton se vazhdon ta konsiderojë veten presidentin legjitim të Ukrainës.
***
Presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Oleksandër Turçinov paralajmëroi
Rusinë kundër cdo agresioni ushtarak në Krime. Ai tha se trupat ruse në
flotën detare nuk duhet të dalin jashtë bazës së Sevastopolit.
“Dua t’i drejtohem udheheqjes së Federatës Ruse të veprojë në përputhje me marrëveshjet për praninë e trupave ruse në Republiken Autonome te Krimesë, në qytetit Sevastopol si dhe për papranueshmërinë e shkeljes së ligjeve ukrainase nga ushtarët e Flotës Detare ruse ne territorin tone”, tha Turcinov.
Paralajmërimi vjen pasi persona të armatosur mësyne dhe vunë nën kontroll parlamentin rajonal dhe ndërtesën e qeverisë në rajonin me shumicë ruse të Krimesë. Flamuri rus është ngritur në të dy ndërtesat në kryeqendren Simferopol.
“Brenda, askush nuk e di se cfarë po ndodh për momentin. Ne vetem pamë zaptimin e ndërtesës. Rreth 30 persona të armatosur vrapuan brenda saj. Pasi e morën, nxorrën që andej forcat e policisë. Me shumë autobusë erdhën dhe dolën rreth 30 persona. Ata sollën canta dhe aty kishte anti-tanke, pushke snajpër, kallashnikov, pistoleta. Me sa u duk këta njerez ishin plotësisht të armatosur”, thotë një dëshmitar.
Ministri i brendshëm ukrainas, Arsen Avakov tha se “zona në afërsi të ndërtesave qeveritare është rrethuar për të ndaluar gjakderdhjen”. Ai e cilësoi “pushtimin e godines si vepër të provokuesve”.
Përmes një deklarate në Facebook Avakov tha se “janë marrë masat për
t’i berë ballë ekstremizmit dhe për të moslejuar përshkallëzimin e
situatës në një konfrontim në qendër të qytetit”.
Krimea është një republikë autonome brenda Ukrainës që iu transferua nga Rusia në vitin 1954. Duke iu referuar censusit te vitit 2001 në Ukrainë, ruset etnike përbëjnë 58.5 %, ukrainasit etnike 24.4 % ndersa tartaret 12.1%. Ukrainasit etnike dhe tartaret myslimane kanë formuar një aleancë që kundërshton çdo lëvizje drejt Moskës.
***
Në një tjetër deklaratë, kryeministri i sapomandatuar ukrainas, Arseniy
Yatsenyuk, një aleat kyç i ish-kryeministres Yulia Tymoshenko i kërkoi
Moskës që të mos ndërhyje në atë që ai e quajti ‘punët e brendshme’ të
Ukrainës.
“U kërkojmë partnerëve tanë rusë që t’u përmbahen zotimeve të tyre. Ne
besojmë se Rusia nuk do të ndërhyjë kurrë në punët e brendshme të
Ukrainës dhe do të qëndrojë larg cdo diskutimi që përçan Ukrainën. Nga
ana tjetër, ne jemi të vendosur për një Ukrainë të bashkuar. Do të
ndëshkojmë sipas ligjeve dhe kushtetutës cilindo që nxit separatizmin”,
tha Yatsenuk.
Deklaratat e udhëheqësve të rinj ukrainas mbërritën në ditën e dytë të
stërvitjes ushtarake ruse në kufirin mes dy vendeve, ku tashmë janë
përfshirë edhe avionët bombardues.
“Në zonat kufitare në rajon janë duke u ndërmarrë patrullime të
vazhdueshme nga ajri të avionëve luftarakë”, citohet nga agjencia e
lajmeve Interfax Ministria e Brendshme ruse.
Një ditë më parë, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov shprehu
shqetësimin për shkeljen masive të të drejtave të njeriut në Ukrainë. Ai
tha se forcat ekstremiste të djathta po kërcënojnë popullsinë etnike
ruse dhe ruso-folëse.
Mes tensioneve të ndezura mes Rusisë dhe Perëndimit, Sekretari i
Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen tha se ishte i shqetësuar
për situatën në Krime dhe i kërkoi Rusisë që të mos ndërmarrë asnjë
veprim që mund të përshkallëzojë tensionet.
Në të njëjtën linjë ishte edhe deklarata e Sekretarit Amerikan të
Mbrojtes, Chuck Hagel. Kreu i Pentagonit tha se Moska “nuk duhet dhe nuk
mund të ndërmarrë asnjë hap që mund të keqinterpretohet, apo të
keqllogaritet në një periudhë kaq delikate”.
Ndërkohë Fondi Monetar Ndërkombëtar njoftoi dërgimin e një grupi
ekspertësh në Kiev për të përcaktuar se si dhe sa mund të ndihmojë
Ukrainën, pas kërkesës së qeverisë së re.
Top Channel