Agjensia Botërore Anti-Doping (WADA) do të nisë një hetim mbi thashethemet se atletët rusë thithën një gaz që rrit performancën sportive gjatë Lojrave Olimpike Dimërore të Sochit.
Lajmi u publikua të mërkurën prej televizionit gjerman “WDR”, i cili raportoi se atletët rusë thithnin përpara garave gazin xenon, diçka që sipas studimeve akademike mund të ndikojë në rritjen artificiale të hormonit eritropoietin (EPO).
Presidenti i WADA-s, Craig Reedie, në një deklaratë u shpeh se agjensia e tij ka vendosur që të hetojë nëse me të vërtetë është përdorur në Olimpiadë ndonjë substancë për rritjen e pandershme të performancës sportive të atletëve.
Sipas “WDR”, Rusia përdor thithjen e gazit xenon përpara garave prej vitesh tashmë, aq sa kjo është bërë edhe pjesë e rekomandimeve të Ministrisë së Sporteve.
Përdorimi i substancave farmaceutike që rrisin aftësinë e trupit për të thithur oksigjen janë të ndaluara nga “WADA”, por duket se Rusia ka gjetur një hapësirë ligjore, pasi ndalimi nuk parashikohet edhe për metodat e jashtme që mund të stimulojnë prodhimin e hormoneve.
Lojrat Olimpike Dimërore u zhvilluan gjatë muajit Shkurt në resortin rus të Sochit, ku vendasit u renditën të parët në tabelën përfundimtare të medaljeve, duke grumbulluar një total prej 13 medaljesh të arta.
Top Channel