Oda Ekonomike e Kosovës dhe Qendra e Iniciativës së Punëdhënies në veriun e Mitrovicës nënshkruan një memorandum bashkëpunimi në fushën e biznesit.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu dhe Catherina Axhançiç thanë se ky memorandum do të mundësojë dhe nxisë bizneset nga të dyja anët, veri dhe jug, që bashkëpunimi të jetë më i madh.

Përfaqësuesit thanë se politika krijon parakushte për stabilitet, ndërsa ekonomia e tregut dhe partneriteti i ngritur në baza të shëndosha i nxit njerëzit të bashkëpunojnë dhe të zhvillojnë një partneritet të shëndoshë.

“Komuniteti i biznesit në Kosovë, përmes këtij memorandumi hap gjerësisht derën për bizneset në veri. Komuniteti i biznesit të Kosovës përmes këtij memorandumi e përçon sinjalin drejt veriut për vendosjen e marrëdhënieve të shëndosha, përmes partneritetit dhe bashkëpunimit ekonomik”, deklaroi Gërxhaliu.

“Gjithashtu, komuniteti i biznesit të Kosovës përmes këtij memorandumi tregon se nuk bën ndarje në baza etnike, por pranon dhe njeh vetëm progresin. Pas aksioneve dhe ndërmarrjeve politike radhën sot për të përmirësuar marrëdhëniet me veriun e ka ekonomia”, vijoi kryetari i OEK.

“Me nënshkrimin e këtij memorandumi mes Qendrës dhe Odës do të ofrojmë kushte me të mira në zhvillimin e bizneseve dhe do të na jepen mundësi të kemi qasje në tregun ndërkombëtar, si dhe krijimin e një klime më të favorshme për investime në vendin tonë. Do të krijohen kushte për punësim më të madh”, tha nga ana tjetër Catherina Axhaniçiç.

“Kjo që po shoh sot këtu po më befason shumë. E veçanta është se me një aktivitet të tillë, Safeti, miku im që njoh prej shumë kohësh, Nikoliç dhe zonja Axhançiç kanë marrë guximin, në dallim nga të tjerët, që të dalin në këtë ditë me diell bashkë para kamerave, e jo natën të fshihen nëpër kafenetë plot tym dhe pastaj të dalin ditën njëri në këtë anë e tjetri në anën tjetër, e të shesin patriotizëm”, komentoi mes të tjerësh Fadil Ismajli, ministër i Zhvillimit Ekonomik.

Ministri Ismajli theksoi se kjo marrëveshje synim kryesor ka transparencën. Një nga qëllimet e tjera qeveritare është edhe zhdukja e ekonomisë informale.

Top Channel