Venezuelë, gjendet i vrarë kampioni i boksit

26/02/2014 00:00

Ish-kampioni i botës në boks në Venezuelë është vrarë pasi ishte rrëmbyer më herët gjatë javës, kanë konfirmuar autoritetet lokale.

Trupi i Antonio Cermeno, 44 vjeç, u zbulua të martën me plagë fatale plumbash në një rrugë të shtetit të Mirandës, njoftoi policia. Ai ishte rrëmbyer nga kryeqyteti Karakas mbrëmjen e së hënës.

Vrasja e tij vjen në një kohë kur vendi është i përfshirë nga një valë protestash anti-qeveritare për shkak të kriminalitetit të lartë.

Venezuela është vendi i pestë në botë për kuotën më të lartë të kriminalitetit dhe pasiguria dhe krimi janë të zakonshëm në shumë qendra urbane.

Policia deklaroi se Cermeno ishte rrëmbyer bashkë me disa familjarë të tij në afërsi të lagjes La Urbina, në lindje të kryeqytetit.

Anëtarët e familjes së tij arritën të arratiseshin teksa pengmarrësit po mbushnin me karburant makinën e tyre, tha zëdhënësi i policisë, Eliseo Guzman.

Cermeno, i njohur ndryshe me pseudonimin “Kolosi”, kishte fituar një sërë titujsh botërorë në vitet ’90, ndërsa ishte tërhequr nga sporti në vitin 2006.

Vdekja e tij është njëra prej disa vrasjeve të profilit të lartë. Në janar, persona të armatosur qëlluan për vdekje ish-Miss Venezuelën, Monica Spear dhe bashkëshortin e saj britanik në makinën e tyre, teksa po udhëtonin nga qyteti i Meridës në Karakas.

Vëzhguesit mendojnë se vrasja e Cermenos ka gjasa të armiqësojë edhe më shumë protestuesit anti-qeveritarë.

Top Channel