Real Madrid kualifikohet që në ndeshjen e parë, të cilën e shndërron në një shkatërrim për vendasit e Schalke-s.
Madrilenët e drejtuar nga Ancelotti e ekzagjerojnë me fitoren e tyre, 1-6 në këtë ndeshje të parë, duke mos lënë asnjë shpresë për kthimin.
E kush mund të ishin protagonistë, veç treshes sulmuese: Benzema, Bale dhe Ronaldo? Të tre kanë shënuar nga 2 gola në këtë takim, duke treguar edhe një herë prepotencën e Real dhe formën shumë të mirë, që po kalon në këto momente ky ekip, jo vetëm në Champions, por edhe në kampionat.
Në fund të ndeshjes, është pikërisht Huntelaar, ai që shënon golin e nderit dhe të statistikës për Schalke 04, por ama jo një gol i thjeshtë, edhe pse bukuria e tij nuk e zbeh aspak turpërimin, që pësoi skuadra gjermane në “Arena AufSchalke”, apo “Veltins-Arena” siç njihet nga sponsorët e fundit.
Në takimin tjetër, Roberto Mancini ka ndalur skuadrën e Jose Mourinho-s, në Stamboll.
Galatasaray ka barazuar 1-1 përballë Chelsea-t, duke mbajtur gjithçka të hapur për kualifikimin për në çerekfinale, për ndeshjen e dytë. Një ndeshje shumë intensive dhe emocionuese, ka qenë ajo që u zhvillua në “Türk Telekom Arena”.
“Blutë” e Londrës kaluan të parët në avantazh, që në minutën e 9-të me Fernando Torres, ndërkohë që Chedjou barazon shifrat në 1-1, në minutën e 20-të të pjesës së dytë, rezultat ky që mbylli këtë takim të parë mes këtyre dy skuadrave.
Top Channel