
David Moyes ka pranuar se humbja 2-0 e Manchester United ndaj Olympiakos ishte ndeshja më e keqe e sezonit e skuadrës së tij në Ligën e Kampioneve.
Alejandro Dominguez dhe Joel Campbell vulosën fitoren e kampionëve grekë dhe tashmë United do të ketë një detyrë të vështirë në Old Trafford.
“Ishte një ndeshje e dobët nga ana jonë. Nuk e prisja. Gjëja pozitive është që ka edhe një ndeshje tjetër”, tha tekniku skocez.
“Stadiumi ynë ka qenë dëshmitar i shumë mbrëmjeve europiane të paharrueshme dhe shpresojmë që të përjetojmë edhe një tjetër. Marr përgjegjësinë e plotë për humbjen pasi është skuadra ime dhe ajo duhet të luajë më mirë”, shtoi Moyes.
Skocezi, i cili zëvendësoi në fillim të këtij sezoni Sir Alex Ferguson në krye të Manchester United, deklaroi se ndeshja ishte përgatitur mirë, por kjo nuk u tregua në fushën e lojës.
“Ishte ndeshja më e keqe që kemi zhvilluar në Champions, e merituam plotësisht humbjen”, përfundoi Moyes.
Liga e Kampioneve është shansi i fundit i United për të fituar një trofe këtë sezon pasi është eliminuar nga të dyja kupat e Anglisë dhe në kampionat e sheh veten 15 pikë pas Chelsea-t kryesues.
Top Channel