Mourinho kapet “mat”, irritohet me sulmuesit

26/02/2014 00:00

Është dashur më pak se 1 vit për Jose Mourinho-n, për të kaluar nga gjendja e “të lumturit” në atë të “të pakënaqurit”, teksa trajneri i Chelsea-t e ka hedhur fajin tërësisht mbi shpatullat e medias, për këtë lëkundje të humorit të tij.

I preferuari i gazetarëve britanikë, për shkak të komenteve të tij thumbuese e tepër ekspresive, Mourinho ka mbetur i pakënaqur me “Canal Football Club”, pasi emisioni francez i kushtuar futbollit transmetoi një intervistë, në të cilën tekniku portugez kritikonte sulmuesit e ekipit të tij.

Ish-ylli i Barcelonës, Samuel Eto’o, sulmuesi spanjoll i blerë prej 80 milionë paund, Fernando Torres, dhe sulmuesi i përfaqësueses së Senegalit, Demba Ba, kanë hasur probleme me shënimin e golave në Premier League, këtë sezon, teksa numërojnë vetëm 11 të tillë, të tre së bashku.

Mourinho është i pakënaqur, sepse nuk e dinte që ishte filmuar gjatë momentit që kishte lëshuar komentet e tij. “Realisht mendoj se është një paturpësi, që dikush të regjistrojë një bisedë private, pa dijeninë tonë”, tha “Special One”, përpara takimit të së mërkurës kundër Galatasaray-t, në Champions League.

Gjithsesi, kryeredaktori i “Canal Football Club”, dhe prezantuesi Herve Mathoux nuk janë penduar aspak. “Jemi të kënaqur me këtë intervistë”, tha Mathoux për CNN.

“Jemi të surprizuar nga komentet e Jose Mourinho-s, i cili pretendon se nuk po regjistrohej. Kamera ishte vendosur vetëm 50 cm, ose ndoshta 1 metër larg tij. E kishte shumë pranë. Diskutimi ishte joformal, por u zhvillua në mes të një grupi të madh njerëzish, përfshi kameramanin tonë. Kështu që, nuk ka asnjë mundësi që Mourinho të mohojë se ai është regjistruar”.

Të hënën, “Canal Plus” publikoi një video në faqen e internetit, në të cilën Mourinho komentonte: “Problemi te Chelsea është se na mungon një sulmues. Kam njërin (Eto’o), por ai është 32 vjeç, ndoshta 35, kush e di me saktësi këtë?”…

Video raportohet të jetë fshirë nga televizioni francez, por Mathoux thotë për CNN se ai nuk është në dijeni të këtij veprimi. “Të tilla video vijnë e shkojnë shpesh. Për t’i përcaktuar, mund të them se ato kanë një jetëgjatësi të shkurtër”, tha ai.

Top Channel