
Pothuajse kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për ndeshjen historike të futbollit, Kosovë-Haiti. Gjatë ndeshjes, tifozeria do të lejohet të përdorë çdo lloj flamuri, përfshirë atë kombëtar dhe atë shtetëror.
“Ditën e mërkurë, dyert e stadiumit hapen në orën 12:00. Secila anë, ajo e Perëndimit, Veriut, Jugut dhe Lindjes, ka nga dy hyrje. Marrim shembull tribunën e perëndimit, e cila ka dy hyrje, HP1 dhe HP2, ku do të kenë qasje shikuesit, të cilët do të ndahen thuajse përgjysmë në secilën prej tyre. Të gjithë qytetarët, kur blejnë biletën për këtë tribunë, do të kenë ngjyrën e gjelbër dhe numrin rendor të hyrjes. E njëjta gjë edhe për anët e tjera të stadiumit”, tha Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i FFK-së.
“Si ndeshje e parë, kemi tentuar të përmbushim me përpikmëri të gjitha modalitetet e caktuara nga FIFA. Nuk do të guxojmë të shkelim ndonjë, sepse është mbledhja e radhës, nga e cila presim diçka më shumë. Tifozeria është e lirë të marrë çdo lloj flamuri që dëshiron, pasi nuk mund të ndalojmë tifozët”, tha Kushtrim Demiri, organizator nga “KD events & Comunication”.
Biletat do të jenë në shitje nga dita e shtunë.
“Kemi marrë një vendim, që biletat për tifozët në pjesën veriore të stadiumit të jenë nga 3 euro, ku kapaciteti është diku te 3200 vende. Sa i përket biletave, ato do të dalin në shitje të shtunën, nga ora 11:00 deri në orën 16:00. Pikat e shitjes do të jenë në Prishtinë, në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe te “Neëborn”. Por, do të ketë edhe në Mitrovicë, Ferizaj, Gjilan, Pejë, Prizren, Gjakovë dhe në Vushtrri”, tha Agron Selimi, organizator nga “AS Arts & Events”.
Fakti që ndeshja miqësore Kosovë-Haiti është e para pas lejes së marrë nga FIFA, përbën një test të madh për Federatën e Futbollit të Kosovës dhe organizatorët, që duhet të marrin notë kaluese nga qeveria botërore e futbollit.
Ekipi i Haitit do të mbërrijë në Kosovë më 2 mars. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin me 17150 vende, “Adem Jashari” në Mitrovicë, më 3 mars, në orën 15:00, dhe do të menaxhohet me protokoll shtetëror.
Top Channel