Kupa e Shqipërisë, përcaktohen gjysmëfinalistët

26/02/2014 00:00

Skëndërbeu, Teuta, Kukësi dhe Flamurtari janë katër skuadrat që siguruan kualifikimin në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, pas ndeshjeve të zhvilluara ditën e mërkurë.

Kampionët në fuqi, në kërkim të një dopiete kampionat-kupë në këtë sezon arritën të fitonin 2-0 ndaj Laçit, të mundur edhe në transfertë minimalisht.

Në gjysmëfinale, Skëndërbeu do të luajë me Teutën, e cila mundi 3-2 Lushnjen. Ashtu si në ndeshjen e parë, skuadra lushnjare mbylli pjesën e parë në avantazh, por golat nga Nika, Dosti dhe Hodo i siguruan “Djemve të Detit” fitoren.

Pas fitores 2-1 në Ballsh, Kukësi u përsërit me të njëjtat shifra edhe në shtëpinë e tij, ndërsa në çerekfinalen më emocionuese, pas barazimit pa gola në Shkodër, Flamurtari siguroi kalimin falë një goli të vetëm të Abilaliajt në Vlorë.

Top Channel