Champions, Mancini vs Mourinho

26/02/2014 00:00

Galatasaray-Chelsea pritet të jetë ndeshja më interesante e mbrëmjes në Ligën e Kampioneve. Kjo për faktin se në “Turk Telekom Arena” do të përballen Mancini dhe Mourinho, dy trajnerët që bënë histori me Interin e Massimo Moratit.

Tekniku italian, i cili tashmë është në krye të skuadrës turke, e sheh pothuajse të pamundur kualifikimin e Galatasaray: “Mendoj se Chelsea është një nga ekipet më të mira të Premier League pasi ka futbollistë shumë të mirë të cilët mund të ndryshojnë rrjedhën e lojës në çdo moment.”

“80% e shanseve janë që Chelsea të kalojë turin, por gjithsesi ne do ta tentojmë deri në fund”, ka përfunduar Mancini.

Nga ana tjetër, trajneri i Chelsea, para se të flasë për ndeshjen e mbrëmjes, ka sulmuar mediat të cilat kanë publikuar një bisedë të tijën private në lidhje me moshën e Eto’o.

“Është diçka e turpshme që ju publikoni si intervistë një shaka timen me dikë që nuk ka lidhje me futbollin”, tha mourinho.

Përsa i përket ndeshjes, tekniku portugez tha se lojtarët e tij do të japin maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv në Stamboll. Ndërkohë, mediat angleze raportojnë se 2 tifozë të Chelsea janë plagosur me thikë pas një zënke mes dy tifozerive në rrugët e Stambollit, incident ky që nuk konfirmohet nga mediat turke.

Ndeshja tjetër e mbrëmjes do të jetë ajo mes Schalkes dhe Real Madrid. Ekipi i Carlo Ancelotti vjen në këtë sfidë me një moral të lartë për shkak të rezultateve pozitive të njëpasnjëshme. Humbja e fundit e tyre daton në tetorin e kaluar, kur u mundën 2-1 nga Barcelona.   

Top Channel