Venezuelë, numërohen 13 viktima nga trazirat

25/02/2014 00:00

Demonstruesit anti-qeveritarë kanë ngritur barrikada dhe u kanë vënë zjarrin plehrave në Karakas, gjatë së hënës, pavarësisht thirrjeve nga brenda opozitës për të vënë nën kontroll protestat, gjatë të cilave kanë mbetur 13 të vdekur, në ato që konsiderohen si trazirat më të këqija në Venezuelë, prej një dekade.

Trafiku është ndalur në kryeqytet, ndërsa shumë njerëz qëndruan në shtëpi pasi protestuesit dogjën plehrat dhe grumbulluan mbeturina nëpër rrugët kryesore, një ditë pasi lideri i opozitës Henrique Capriles bëri thirrje ndaj tyre që të zhvillojnë protesta paqësore.

“E dimë se po shqetësojmë shumë njerëz, por duhet ta zgjojmë Venezuelën”, tha një student, Pablo Herrera, 23 vjeç, i vendosur pas një barrikade në një prej distrikteve më të pasura të Karakasit, Los Palos Grandes.

Autoritetet, në kufirin e trazuar me shtetin e Tachira-s, konfirmuan një tjetër viktimë, një person që ra nga apartamenti i tij dykatësh, pasi u godit me plumb nga një protestë që zhvillohej aty pranë.

Këto demonstrata janë sfida më e madhe ndaj qeverisë 10-mujorshe të presidentit Nicolas Maduro, edhe pse nuk ka shenja se ato mund ta rrëzojnë atë apo të ndikojnë në dërgesat e naftës së shtetit anëtar të OPEC-ut. Venezuela është eksportuesi më i madh i Amerikës Latine për naftën bruto, teksa zotëron rezervat më të mëdha në botë për petroleumet.

Qeveria tha se 529 njerëz janë akuzuar për trazirat, shumica e të cilëve kanë marrë paralajmërime, ndërsa 45 prej tyre kanë mbetur prapa hekurave. Rreth 150 të tjerë janë plagosur, bëjnë të ditur autoritetet e vendit.

Capriles, 41 vjeç, refuzoi një ftesë për t’u takuar me Maduron gjatë mbrëmjes së të hënës, si pjesë e një mbledhjeje të kryebashkiakëve dhe guvernatorëve, të cilën shumë kishin shpresuar se mund të shërbente si një pikënisje për nisjen e bisedimeve mes dy palëve.

“Kjo është një qeveri duke vdekur… Nuk do të shkoj të bëhem si orkestra e Titanikut”, tha ai për reporterët. “Pallati presidencial (Miraflores) nuk është vendi i duhur për të biseduar rreth paqes, ai është qendra e operacioneve të abuzimit të të drejtave të njeriut”.

Capriles dhe figura të tjera të opozitës kërkojnë nga qeveria të lirojnë liderin e burgosur të protestave, Leopoldo Lopez, dhe dhjetra studentë demonstrues të burgosur.

Ata duan gjithashtu që Maduro të çarmatosë grupet mafioze pro-qeveritare dhe të adresojë problemet kombëtare, duke nisur nga krimi i organizuar, te mungesa e energjisë dhe e mallrave jetike. Studentët protestues të vijës së ashpër kërkojnë dorëheqjen e Maduros, i cili ende nuk ka mbushur 1 vit në krye të postit aktual.

“Nëse kanë bërë diçka këto protesta të dhunshme, është fakti që kanë bashkuar ‘çavizmin’”, tha Maduro në një deklaratë për televizionin shtetëror, duke përdour termin që është ushqyer ndaj mbështetësve të qeverisë gjatë regjimit 14-vjeçar të paraardhësit të tij, Hugo Chavez.

Presidenti 51-vjeçar akuzon kundërshtarët se kanë planifikuar një grusht-shteti të mbështetur nga Uashingtoni.

Top Channel