
Sulmuesi polak, Robert Lewandowski, ka bërë të ditur se Borussia Dortmund duhet të bëjë kthesën, pas humbjes shokuese ndaj Hamburg-ut në fundjavë, kur të luajnë në transfertën ruse të Zenit St. Petersburg, në takimin e parë të 1/8-ave të Champions League.
Finalistët e vitit të kaluar në këtë kompeticion, Dortmund, pësuan një humbje të papritur 3-0 ndaj Hamburg-ut, që luan për mbijetesë në Bundesligë, të shtunën, pikërisht 3 ditë përpara përplasjes së tyre në Rusi, këtë herë në arenën europiane.
Lewandowski, i cili ka shënuar 14 gola në 22 ndeshje të Bundesligës këtë sezon dhe 4 në Champions, luajti vetëm 60 minuta në takimin me Hamburg, pasi vinte nga një gjendje ftohjeje, teksa tha se Dortmund duhet të zhvillojë një ndeshje shumë më të mirë në stadiumin “Petrovsky”.
“Duam të shfaqim një performancë të mirë dhe të shënojmë të paktën 1 gol në fushë kundërshtare”, tha Lewandowski.
Sa i përket formacionit, mefushori veteran me tipare mbrojtëse, Sebastian Kehl, pritet të zëvendësojë Sven Bender, i cili parashikohet të mungojë për 10 javë pas një problemi në kockat e legenit.
Dortmund u nis drejt Rusisë gjatë së hënës, teksa do të shpresojnë që Zenit të mos jetë në gjendjen më të mirë, duke qenë se ndeshjen e fundit kompetitive e kanë zhvilluar në Dhjetor.
Shefi ekzekutiv i Dortmund, Hans-Joachim Watzke, tha se gjermanët kërkojnë një rezultat pozitiv përpara ndeshjes së kthimit në “Westfalenstadion”, më 19 Mars.
“Do të jetë shumë e vështirë, pasi luajmë ndaj një ekipi të fortë, por nuk ka asnjë alternativë tjetër, veçse një rezultat pozitiv”.
Top Channel