
Presidenti i Interit, Erick Thohir, deklaroi se me Hernanes dhe Guarin zikaltërit kanë mesfushën më të fortë në qarkullim dhe kolumbiani i është përgjigjur menjëherë këtij lavdërimi duke thënë se është gati të qëndrojë tek skuadra aktuale deri në fund të karrierës.
“E di që presidenti më vlerëson shumë. Kemi folur për rinovimin e kontratës dhe jam gati ta firmos. Jam gati të qëndroj tek Interi deri në fund të karrierës. Pas asaj që ndodhi në janar më është dashur të punoj edhe më shumë pasi tifozët prisnin më shumë nga unë”, tha Guarin për ‘Sky’.
Nga merkato e janarit dhe anulimi i transferimit tek Juventusi ka dalë një Guarin më i fortë se më parë: “Ajo që ndodhi më ka mësuar shumë si njeri dhe si futbollist. Tani jam më i qetë dhe i lumtur. Hernanes? Kishim nevojë për të dhe po përmirësohemi ndeshje pas ndeshjeje.”
Në fund, një premtim: “Unë dua të tregoj se jam një lojtar i denjë për Interin!”
Top Channel