Borussia “e kualifikuar”, “djajtë” bien në Pirè

25/02/2014 00:00

Borussia e Dortmundit, nënkampionia e Europës në fuqi “vulosi” kualifikimin në çerekfinalet e Champions League, falë një fitoreje 4-2 në Shën Pjetërburg ndaj rivalëve të Zenitit.

Ndonëse tranferta në Rusi ishte paralajmëruar si e ndërlikuar për skuadrën e Klopp, e privuar nga shumë titullarë të dëmtuar, dy gola të shpejtë në minutën e katërt dhe të pestë të takimit, nga Grosskreutz dhe Reus bënë të qartë shumë shpejt që kjo ishte dita e verdhezinjve.

Borussia, e cila shpërdoroi disa raste të pastra për shënim, pësoi një gol në fillimin e pjesës së dytë, por menjëherë Lewandowski riktheu avantazhin e dy golave.

Hulk shkurtoi sërish në 2-3 për vendasit falë një penalltie, por përsëri Lewandowski, në të 71’ realizoi për Borussian, duke certifikuar këtë fitore të thellë, e cila praktikisht mbyll çështjen e kualifikimit midis tetë skuadrave më të mira të Europës.

***

Tingëllon e pabesueshme, por Olympiacos ka arritur të mundë 2-0, në fushën e tij, Manchester United, duke iu afruar shumë kualifikimit për në çerekfinalet e Champions League.

Grekët luajnë më mirë dhe arrijnë të vënë nën presion “djajtë”, që për pjesën më të madhe të ndeshjes u mbyllën në gjysmëfushën e tyre.

Në minutën e 37-të, Dominguez kalon përpara skuadrën e Pireut, duke devijuar një goditje nga distanca të Maniatis.

Në pjesën e dytë, sërish vendasit duan të sigurojnë këtë sukses dhe ia dalin me Campbell. Lojtari nga Kosta Rika bën një goditje mjeshtërore dhe shtang të gjithë, duke shënuar golin e dytë.

Top Channel