Qyteti i Shkupit nuk respekton gjuhën shqipe edhe pse mbi 20 për qind të popullsisë në kryeqytetin e Maqedonisë e përbëjnë shqiptarët.

Autoritetet lokale në tabelat e reja orientuese nëpër rrugët kryesore kanë përdorur vetëm gjuhën maqedonase dhe atë angleze, ndërsa kanë anashkaluar shqipen edhe pse përdorimin e saj e garanton ligji për gjuhët.

Sipas partisë opozitare PDSH, çështja e mos përdorimit të gjuhës shqipe nuk është problem vetëm në qytetin e Shkupit. “Kjo vjen për shkak të paaftësisë dhe servilitetit të BDI-së, e cila është në pushtet, si në qytetin e Shkupit ashtu edhe në qeveri. Suzana Saliu është nënkryetare e Parlamentit dhe deri më sot as edhe një sekondë nuk ka udhëhequr ndonjë seancë”, ka deklaruar deputeti Bekim Fazliu.

Partia shqiptare në pushtet, BDI e pranon se avancimi i përdorimit të gjuhës shqipe nëpër institucione has në shumë pengesa për shkak të rezistencës nga blloku politik maqedonas.

“Ne nuk e mohojmë se ballafaqohemi çdo ditë dhe luftojmë çdo ditë për ta shtrirë implementimin e saj dhe nuk e kemi terrenin të shtruar për të implementuar gjuhën shqipe. Fatkeqësisht PDSH-ja nuk bëhet pjesë për të na ndihmuar në implementimin e shqipes, por e përdor këtë çështje vetëm për të përfituar pikë politike”, ka thënë zëdhënësi Bujar Osmani.

Mos respektimi i gjuhës shqipe nga autoritetet lokale të Shkupit është diskutuar gjatë një takimi mes drejtuesit të kryeqytetit. Koçe Trajanovski dhe kryetarit të komunës Çair, Izet Mexhiti, të cilët kanë rënë dakord për formimin e një grupi ekspertësh për të tejkaluar problemin. Nga PDSH-ja opozitare thanë se kjo tentativë e është e dështuar që në fillim.

Top Channel