Kiev, Rusia tërheq ambasadorin

24/02/2014 00:00

Rusia ka tërhequr ambasadorin e saj në Ukrainë (Mikhail Zurabov) dhe ka dënuar largimin nga detyra të presidentit Viktor Janukoviç, i cili u shkarkua nga Parlamenti ditën e shtunë.

Kjo lëvizje vjen pasi presidenti i ri dhe i përkohshëm i Ukrainës, Oleksandër Turçinov, ka thënë se tashmë Ukraina do të përqendrohet në integrimin në Bashkimin Europian.

Largimi i Janukoviçit erdhi pas refuzimit që ai i bëri marrëveshjes BE-Ukrainë dhe protestave që e pasuan këtë refuzim. Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, ka shprehur mbështetjen e tij për veprimin e Parlamentit.

Ndërsa shefja e diplomacisë europiane, Catherine Ashton, ka lajmëruar se do të vizitojë Kievin të hënën për të diskutuar mbi “zgjidhjen e krizës politike dhe masat që duhen marrë për stabilizimin e ekonomisë”.

Rusia dhe SHBA-ja kanë pasur qëndrime të kundërta në lidhje me krizën ukrainase, me amerikanët që së bashku me BE-në kanë mbështetur protestuesit opozitarë.

Ndërsa Rusia, nëpërmjet ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov, ka akuzuar Ukrainën për shmangie nga marrëveshja politike e nënshkruar ditën e premte. Ai tha se opozita “ka marrë pushtetin duke u mbështetur vetëm tek dhuna”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA