Superiore, Tirana pranë shpëtimit

23/02/2014 00:00

Tirana përmbysi rezultatin në “Qemal Stafa”, duke mundur 2-1 Besën.

Fitorja e tretë radhazi e kryeqytetasve rrit shpresat e skuadrës dhe të tifozerisë së saj, për një qëndrim në Superiore.

Bardheblutë kanë lënë pas krahëve fundin e klasifikimit, pasi tashmë gjenden në kuotën e 22 pikëve, po aq sa Lushnja e vendit të 11 dhe vetëm 1 pikë larg Bylisit dhe Vllaznisë, që mbajnë vendin e 9 dhe të 8.

Kavajasit shënuan të parët me një supergol të Celhakës, por gëzimi i tyre zgjati vetëm 6 minuta, pasi brenda këtij intervali kohor Tirana shënoi dy herë.

Gilberto barazoi në minutën e 17, ndërsa 2 minuta më vonë Kerçiku kaloi skuadrën e Maganit në avantazh. Përpjekjet e dy skuadrave në pjesën e dytë, të Besës për të barazuar dhe të Tiranës për të shënuar golin e tretë, nuk dhanë asnjë rezultat.

Vllaznia e Agim Canajt nuk mundi dot as Partizanin, me 10 lojtarë, në “Loro Boriçi”, duke rrezikuar gjithmonë e më shumë rënien nga Superiorja.

Sfida mes dy emrave të mëdhenj të futbollit shqiptar përfundoi në barazim 1-1. Partizani u detyrua të luante 30 minutat e fundit me 10 lojtarë, pas daljes me të kuq të Labinotit.

U mendua se Vllaznia do ta kthente në avantazh të saj superioritetin numerik, por Mazrekaj shokoi shkodranët me një supergol në minutën e 68.

Vllaznia barazoi shumë shpejt me Vukcevic, por nuk shkoi me shumë se kaq. Vllaznia duhet të bëjë kthesën shumë shpejt, madje që javën e ardhshme me Bylisin, pasi fitoret në këto sfidat e fundit janë mundësia e vetme për t’i mbajtur në Kategorinë Superiore.

Top Channel