
Reali i Madridit shënoi një fitore komode në kampionat teksa mundi Elchen në “Santiago Bernabeu” me rezultatin 3-0. Skuadra e Ancelottit ishte dominuese gjatë gjithë ndeshjes dhe rezultati mund të kishte qenë akoma më i thellë nëse futbollistët e saj do të ishin treguar më të saktë para portës kundërshtare.
Avantazhi erdhi në minutën e 34 me Illarramendin pas një sërë rastesh të humbura dhe pikërisht me rezultatin 1-0 u mbyll pjesa e parë.
Edhe në pjesën e dytë Reali sulmonte ndërsa Elche mbrohej si të mundte. Gareth Bale shënoi golin e dytë, një supergol. Kur kishin mbetur 9 minuta nga fundi i ndeshjes, madrilenët shënojnë edhe golin e tretë me Iscon.
Kjo fitore i jep mundësinë Realit të marrë kryesimin në kampionatin spanjoll, kjo edhe për faktin se Barcelona humbi ndaj Real Sociedad 3-1 në Anoeta, stadium ku katalanasit nuk njohin fitore që nga viti 2007.
Skuadra baske ishte superiore ndaj Barcelonës. Që në minutat e para u vu re që Sociedad i kishte marrë mirë masat për këtë ndeshje duke mos e lejuar në asnjë moment Barcelonën të dilte në lojën e saj. Në minutën e 32 Real Sociedad zhbllokoi rezultatin falë autogolit të Song. Barcelona u kundërpërgjigj pas disa minutash me argjentinasin Lionel Mesi, i cili shënoi golin e barazimit të përkohshëm 1-1.
Në pjesën e dytë ishte sërish Sociedad që kërkoi më shumë, ndërkohë që Barcelona ishte apatike në lojën e saj. Katalanasit u ndëshkuan për herë të dytë nga Griezmann, ndërkohë që vetëm 4 minuta më vonë Zurutza shënoi edhe golin e tretë për Real Sociedad që me këto 3 pikë i afrohet gjithnjë e më shumë Bilbaos me të cilin lufton për vendin e katërt, pozicion ky që i jep mundësinë e kualifikimit në Ligën e Kampioneve për sezonin tjetër.
Top Channel