
Bayern Munchen hodhi poshtë çdo frikë për pasjen e dhimbjeve të kokës nga transferta e Champions League me Arsenalin gjatë mesjavës, duke fituar bindshëm 4-0 edhe në transfertën e vlefshme për Bundesligën, atë në Hannover, mbrëmjen e së dielës.
Kampionët në fuqi të Gjermanisë dhe të Europës numërojnë tashmë 14 fitore radhazi dhe 47 takime pa u mposhtur, ndërkohë që kryesimi i tyre në Bundesligë ka shkuar në plot 19 pikë diferencë nga ndjekësit më të afërt.
Në stadiumin e tejmbushur “HDI Arena” të Hannover, me kapacitet 49 mijë vende, ekipi i Guardiolës kaloi në avantazh në minutën e 25 me anë të Thomas Muller. Thiago Alcantara dyfishoi rezultatin 9 minuta më pas, me Bayern-in që dominonte lojën në çdo aspekt.
E megjithatë, atëherë kur Hannover kërcënoi me rikthim në lojë, Muller dhe Mario Mandzukic shuan çdo shpresë të tyre, duke shënuar edhe 2 gola të tjerë në minutat 59’ dhe 66’, për të luajtur më pas sa për të respektuar ndeshjen.
Duke qenë se Ëolfsburgu ishte i vetmi ekip, ndër 5 ndjekësit e bavarezëve, që fitoi këtë javë, fitorja e 20 e “të kuqve” këtë sezon e ka çuar distancën nga vendi i dytë, i Leverkusen, në 19 pikë. Me 62 pikë në 22 ndeshje të luajtura, dhe me sigurinë thuajse të verbër për rikonfirmimin kampion të Gjermanisë në Mars, Bayern ka tashmë 2 javë pa ndeshje mesjave, kështu që mund të përqendrohet për ndeshjen e ardhshme, të shtunën, ndaj Schalke 04.
Top Channel