
Samir Nasri, mesfushori i Manchester City, ka ngacmuar Barcelonën duke thënë se ekipi më i mirë sot për sot është Bayern Munchen dhe jo katalanasit.
Këto deklarata vijnë pas humbjes 2-0 që City pësoi në fushën e tij pikërisht nga Barcelona në ndeshjen e parë të 1/8 të Ligës së Kampioneve.
“Nuk mendoj se Barça është skuadra më e mirë. Bayern është ekipi më i mirë me të cilin jemi përballur. Kundër tyre nuk kemi prekur top për 60 minuta”, tha francezi.
“Po të mos ishte për penalltinë, ndeshja me Barçën do të përfundonte 0-0 të martën. Me Bayernin nuk ishte kështu: ata shënuan gola për meritën e tyre dhe jo për fajin tonë. Bayern Munchen tregoi se është tepër i fortë”, shtoi Nasri, i cili mendon se City mund ta kthejë eliminatoren në Camp Nou.
“Asgjë nuk ka mbaruar. Jemi në gjendje të fitojmë në shtëpinë e Barcelonës pasi kemi fituar edhe në Mynih. Duhet të rrezikojmë. Kemi cilësinë e duhur për të luftuar deri në fund”, tha Nasri.
Top Channel