Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkon afrimin e datës së zgjedhjeve parlamentare në muajin Prill, e jo në Qershor apo në një periudhë tjetër të mëvonshme.

Ish-kryeministri kosovar e quan bllokadë vazhdimin e qeverisjes së kryeministrit Thaçi. Haradinaj kërkoi që Thaçi të ofrojë dorëheqjen, sepse nuk ka shumicën e votave në Kuvend. Në mungesë të tyre, vendimet e qeverisë, përfshi edhe atë për rritjen e pagave, të cilin Haradinaj e quan shpërblim për votuesit potencialë, janë të kontestueshëm.

“Është normale të reflektosh mbi një gjendje të krijuar, është e arsyeshme, morale dhe kërkohet kur humb shumicën në Parlament. Duhet ta pyesësh Parlamentin, nëse do vazhdosh më tutje. Kjo do të thotë ose të japësh dorëheqje, ose t’i kërkosh Parlamentit se si do të vazhdojë më tej situata me qeverisjen, duke qenë se nuk e ke më shumicën. Vendimet e qeverisë së sotme nuk janë legjitime në vazhdim, sepse nuk ka shumicën politike të detyrueshme nga Kushtetuta e vendit. Do të ishte mirë që të mbahen në Prill të këtij viti, pra të vendoset brenda këtyre ditëve që brenda atij muaji të mbahen zgjedhjet, pasi kështu do të ishte mirë për Kosovën. Do të përfitonim kohë dhe, në një farë mënyrë, gjendjen që po shkon në përkeqësim e ndalim menjëherë me shpalljen e zgjedhjeve”, tha Haradinaj.

I bindur se 61 deputetë do të donin ta rrëzonin qeverinë, Haradinaj shprehet i habitur me qëndrimin e dy subjekteve opozitare, të cilat nuk po e mbështesin mocionin e mosbesimit. Mohon se mes tij dhe kryeministrit Thaçi ekziston një marrëveshje, në mënyrë që pas zgjedhjeve të bashkëqeverisin, siç ndodhi me partinë e Behxhet Pacollit në zgjedhjet e kaluara.

Të nominuarit për kryeministra të Kosovës, si Hashim Thaçi apo Isa Mustafa, nuk paraqesin shqetësim për Haradinajn, i cili thotë se do të fitojë programi i tij qeverisës. Ambicie të larta duken edhe për të, kur premton se në qeverinë e drejtuar nga AAK-ja do të ulet papunësa në 10 përqind dhe paga mesatare do të arrijë në 1000 euro.

Haradinaj, i cili në cilësinë e komandantit të UÇK-së është ballafaquar me procese gjyqësore në tribunalin e Hagës, e quan të papranueshëm themelimin e një gjyqi ndërkombëtar për hetimin e luftës së UÇK-së.

Ndjekja penale e ish-ushtarëve të UÇK-së nga EULEX i duket e çuditshme, për faktin se aq sa kërkohet zbardhja e krimeve të mundshme të UÇK-së nuk ndodh edhe me krimet e shumëfishta, që kreu regjimi i Beogradit në Kosovë. Për këtë, një pjesë të fajit e ka sistemi i drejtësisë në Kosovë, që sipas Haradinajt nuk arriti të aftësohet për të gjykuar vet secilin krim.

“Unë kam një parim, meqë kam qenë vet rast ligjor. Mendoj se drejtësia duhet ta thotë fjalën e vet, por kuptohet që janë disa zhvillime të çuditshme, që po ndodhin në këto aspekte. Nëse marrim proporcionin e viktimave, e kryerjes së veprave, e shumë gjëra të tjera, është tepër e çuditshme energjia që i kushtohet zbardhjes së krimeve të mundshme të ish-UÇK-së dhe energjia që i kushtohet zbardhjes së krimeve nga ata që i kanë kryer krimet në Kosovë, që në këtë rast janë forcat serbe paramilitare dhe pjesë të strukturave të tyre. Pra, vetvetiu jam i habitur me këtë qasje. Asnjëherë nuk kam besuar dhe nuk besoj as sot që zhvillimet e përmendura nga raporti kanë ndodhur në Kosovë. Do të ishte habia më e madhe, që mund të kishte pasur dikush. Nuk di detaje, as të vjetra dhe as të reja në vijim, as për të akuzuarit dhe as për tribunalin. Për mua do të ishte një zhvillim shumë i dhimbshëm një tribunal jashtë vendit”, u shpreh më tej Haradinaj.

Kreu i AAK-së e quan abuzim, vazhdimin e dialogut me Serbinë, pasi çështjet që kanë kërkuar zgjidhje tashmë kanë përfunduar. Institucionet e Kosovës duhet të përqendrohen në zbatimin e asaj që është arritur, ndërsa temat e tjera me Serbinë, sipas Haradinajt, duhet të diskutohen në departamentin e Komisionit Europian për zgjerim.

Top Channel