Një prokuror ndërkombëtar ngriti aktakuzë të re kundër ish-ministrit kosovar të Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, dhe katër personave të tjerë.

Limaj dhe të tjerët akuzohen për vepra të ndryshme penale, përfshi krim të organizuar, përvetësim, lidhje të kontratave të dëmshme, keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti dhe vepra të tjera të lidhura me korrupsionin.

Ndonëse në njoftimin e EULEX-it nuk bëhen të ditura detaje të tjera, sipas avokatit të Fatmir Limajt, Tomë Gashi, Limaj akuzohet për manipulime me procedurat e tenderëve në shtrimin e disa rrugëve në rajonin e Ferizajt.

Limaj për këtë çështje ishte marrë në pyetje nga prokuroria ndërkombëtare vitin e kaluar.

Përveç dyshimeve që ndërlidhen me tendera në infrastrukturë, Gashi tha se nuk ka më shumë informacion, pasi nuk e ka marrë ende aktakuzën.

Në kohën kur Limaj ishte marrë në pyetje për këtë çështje, vitin e kaluar, pala mbrojtëse kishte propozuar që të futet si pikë akuze në aktakuzën e vjetër, por prokurori ndërkombëtar ka vendosur për të kundërtën.

Prokurori pretendon se buxheti i Ministrisë së Transportit është dëmtuar për së paku 890,000 euro.

Sipas prokurorit, tre të pandehur kanë manipuluar me procedurat e tenderit, janë marrë me dhënie dhe marrje të ryshfetit dhe me pengim të hetimit të provave, në lidhje me administrimin e dy tenderëve në kompetencë të Ministrisë së Transportit.

Këta të pandehur pretendohet se i kanë kryer këto vepra për përfitim material personal. Dy të pandehur pretendohet se janë angazhuar në keqpërdorimin e autorizimeve ekonomike, si dhe në veprën penale të dhënies së ryshfetit.

Sipas prokurorit, këto vepra ndodhën më 2008, kur njëri prej të pandehurve punonte si Ministër i Transportit.

Top Channel