Partia Demokratike e Kosovës mblodhi, të mërkurën, kryesinë e saj, për të diskutuar për zgjedhjet parlamentare, që priten të mbahen këtë vit në Kosovë.

Zyrtarë të PDK-së thanë se kreu i partisë, Hashim Thaçi, informoi kryesinë për takimin e tij me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën, me të cilin, po kështu, temë diskutimi kanë qenë zgjedhjet parlamentare. Por, as nga kjo mbledhje, PDK, si partia më e madhe në vend, nuk doli me një qëndrim, për sa i përket kohës së mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë.

Nga ana tjetër, është partia e Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila, këtë të mërkurë, ka shprehur vendosmërinë e saj për të çuar përpara një mocion mosbesimi ndaj qeverisë.

Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, bëri të ditur se, bashkë me kolegët e grupit parlamentar të AAK-së, e ka nënshkruar mocionin e votëbesimit ndaj qeverisë.

“Gjendja e paqëndrueshme në Kosovë është e rënduar dhe, si e tillë, paraqet domosdoshmëri për zgjedhje të shpejta të mënjëhershme”, ka shkruar Ramadani, në Facebook.

Iniciativa e AAK-së për rrëzimin e qeverisë, ende nuk e ka marrë mbështetjen e partive të tjera opozitare. Ramadani nuk i është përgjigjur interesimit të Top Channel, nëse për këtë çështje është pajtuar me subjektet e tjera politike.

I pamundur ka qenë kontakti me zyrtarët e LDK-së, këtë të mërkurë, për të marrë një qëndrim për këtë çështje.

Lëvizja Vetëvendosje, përfundimisht, nuk do t’i ofrojë mbështetje AAK-së. “Vetëvendosje” dyshon se iniciativa e AAK-së është e ngjajshme me atë të AKR-së, në zgjedhjet e kaluara.

“Na duket se kjo iniciativë i ngjan asaj të AKR-së në vitin 2010, gjë që ia mundësoi Qeverisë që ta rrëzonte vetveten, ndaj dhe mendojmë se kjo iniciativë e AAK-së nuk është e sinqertë dhe as serioze”, thuhet në një komunikatë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në fakt, “Vetëvendosje” ka kohë që ka nisur procedurën për një mocion votëbesimi ndaj qeverisë, por nuk ka gëzuar mbështetjen e subjekteve të tjera.

Edhe sot, “Vetëvendosje” thotë se është e gatshme ta rrezojë qeverinë e kryeministrit Thaçi, por nëse iniciativa vjen nga të gjitha forcat opozitare, ku do të koordinoheshin për datat dhe hapat konkrete.

Top Channel