
Të gjithë punonjësve të sektorit publik në Kosovë në muajin prill do t’u rriten pagat. Në mbledhjen e rregullt të qeverisë, kryeministri Hashim Thaçi kërkoi nga ministri i Financave Besim Beqaj që vendimin për këtë ta përgatisë dhe të fillojë ta ekzekutojë prej muajit prill.
“Ka qenë nga ana ime zotim që pasi kemi arritur nivelizimin e pagave të punëtorëve kosovarë me ata të rajonit, prandaj zoti Beqaj ju ftoj të përgatisni vendimin për të gjitha kategoritë e punëtorisë kosovare duke filluar nga prilli”, deklaroi Thaçi.
Ky vendim vjen teksa Kosova bëhet gati të shkojë në zgjedhje parlamentare. Përveç çështjes së pagave në mbledhjen e qeverisë, kryeministri kosovar u fokusua edhe tek shndërrimi i FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës, siç kishte njoftuar ditën e Pavarësisë.
“Do të vazhdohet me një bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë. Kosova në këtë periudhë kohore, pra në një të ardhme të afërt javore apo mujore, do të ketë forcat e veta të armatosura, me standarde dhe kritere plotësisht euroatlantike dhe do të lëvizet me hapin tjetër, atë të përfshirjes së Kosovës në partneritetin për paqe”, ka thënë Thaçi.
Ndërkohë u shqyrtua dhe u miratua projektligji për arsimin e lartë të Kosovës. Më tej u dhanë detaje lidhur me projektligjin për veteranët e UÇK-së, i cili sipas kryeministrit tashmë është proçeduar në Kuvend.
Ky projektligj përfshin të drejtat për benificione për veteranët luftëtarë të UÇK-së, ku do të përfshihet prej ditës së parë të angazhimit në luftë, për realizimin e së drejtës në pension dhe benificione të tjera, pensioni personal i veteranit, shtesa në pensionin e pleqërisë, lartësia e shumës së pensioneve, parashtrimi i kërkesës për pension, pensionet e trashëgimtarëve e të tjera.
Në këtë mbledhje u vendos edhe për ngritjen e një memoriali për dy ushtarët amerikanë të KFOR-it të vrarë menjëhere pas luftës në qytetin e Prizrenit. Po kështu, qeveria caktoi edhe një shumë prej 50 mijë eurosh për organizimin e ndeshjes së parë miqësore ndërmjet Kosovës dhe Haitit.
“Më datë 5 mars, për herë të parë në historinë e futbollit tonë do zhvillohet ndeshja e parë miqësore e kombëtares së Kosovës me atë të Haitit. Është një hap i madh i arritur për futbollin kosovar dhe i pari drejt anëtarësimit të Kosovës në FIFA”, deklaroi Memli Krasniqi, ministër i Kulturës.
Top Channel